Të hënën në Berlin të Gjermanisë pritet të mbahet ‘Samiti i Berlinit’ ku pjesë do të marrin liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, takim ky i cili është i sponsorizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i Francës Emanuel Macron.
Në këtë takim nga Kosova do të marrin pjesë presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, e nga ana e Serbisë prezent do të jetë Aleksandër Vuçiq shkruan lajmi.net.
Ky takim në Berlin temë qendrore do të ketë raportin Kosovë – Serbi dhe gjetjen e moduleve të reja për rifillimin e dialogut mbi normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve.
Ndërkohë që është folur se në këtë samit do të diskutohet edhe për taksën kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është shprehur se kjo nuk do të ndodh as në Gjermani e as diku tjetër.
Mirëpo, Haradinaj në anën tjetër është shprehur i gëzuar që ky takim nuk është organizuar nga Shefja e BE-së për Politikë të Jashtme, Frederica Mogherini.
Ndër të tjera, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj duke përsëritur në çdo prononcim të tijin se nuk pret diçka konkrete nga Samiti i Berlinit sa i përket raportit Kosovë – Serbi ai ka thënë se do të jetë një takim multilateral dhe se nuk do të ketë shpërputhje qëndrimesh nga liderët e vendit.
Ndërkohë, se Kosova do të ketë qëndrim unik dhe të përbashkët e ka thënë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke shtuar se është koordinuar me të gjithë liderët e vendin për këtë takim.
Presidenti Thaçi është shprehur se është konsultuar me të gjithë liderët politikë në Kosovë, duke filluar nga kryekuvendari Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj si kryesues i ekipit negociator e Behgjet Pacolli si ministër i Jashtëm.
Rezultate konkrete nga ky takim nuk pret as presidenti Thaçi po ai ka thënë se e sheh si mundësi të mirë diskutimin në këtë takim dhe se idenë e tij për integrimin e Luginës në Kosovë do ta paraqesë edhe gjatë këtij takimi.
Ndër të tjera, duke komentuar dy pikat kryesore në të cilat thuhet në media se nuk pajtohen Thaçi e Haradinaj, presidenti tha se e ka mbështetur taksën gjithmonë dhe se është kundër ndryshimit të kufijve, gjë që lë të kuptohet se qëndrimet e Kosovës në Berlin do të jenë unike.
Samitin e Berlinit e ka komentuar edhe Komisioneri i BE-së për zgjerim Johannes Hahn, i cili është shprehur se ky takim duhet të zhbllokojë dialogun Kosovë – Serbi e që është qëllimi kryesor.
“Duhet të ketë sinjale në këtë takim. Zgjidhja e çështjes së Kosovës dhe stabiliteti dhe përparimi në vendet e tjera të rajonit do të arrihet vetëm nëse ne veprojmë të bashkuar dhe të integruar në Ballkanin Perëndimor”, tha Hahn, shkruan lajmi.net.
Pritje të mëdha nga ky takim nuk ka as tek pala serbe. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është shprehur se nuk pret që të ndodhin mrekulli në këtë takim.
Madje, ky i fundit tha se Serbia do të jetë në pozitë të vështirë gjatë Samitit të Berlinit ku sipas tij do t’i kërkohet njohja e Kosovës, gjë që e konsideron të pamundur.
Burime të gazetës serbe, Danas, dje i kanë thënë mediumit serb se takimi në Berlin tregon angazhimin e Gjermanisë dhe Francës që çështja e Kosovës do të zgjidhet në Evropë dhe jo në SHBA apo Rusi.
Ndërkohë, ambasadori gjerman në Serbi është shprehur se pret nga ky takim që ta pezullojë taksën 100 për qind të Kosovës ndaj Serbisë, gjë që e ka mohuar se mund të ndodh vet kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.
“Shpresojmë që tarifat së shpejti të shfuqizohen dhe do të krijohen kushte për vazhdimin e dialogut. Në fakt kjo nuk është gjë e mirë që dialogu duhet të pezullohet, sepse nuk ka komunikim. Kjo gjë duhet të tejaklohet, dialogu duhet të fillojë përsëri. Tarifat duhet të hiqen dhe tërhiqen”, tha ambasadori gjerman.
Ndërkohë, njohësit e çështjeve politike në Kosovë, këtë takim në Gjermani e kanë parë si një kthesë të madhe në politikën e BE-së karshi Kosovës dhe Ballkanit.
Ata e kanë konsideruar këtë si kthim i ‘Evropës së Vjetër’, me sy kah Ballkani Perëndimor gjë që mund të ndihmojë në zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe të pambyllura në këtë rajon.
Samiti i Ballkanit është parë nga analistët edhe si mundësi e mirë që të jepen sinjale pozitive konkrete sa i përket ndërprerjes së regjimit të vizave për Kosovën – gjë që nuk është komentuar nga nikoqirët e takimit.
Takimi pritet të fillojë rreth orës 17:00 të hënën në Berlin të Gjermanisë dhe nuk dihet se sa do të zgjasë ky takim.