Sipas hulumtimit të fundit, oqeanet kanë rreth 200 mijë popullata të ndryshme të viruseve. Viruset ujore u gjetën në thellësi deri 4 mijë metra nga Poli Verior deri në Polin Jugor.
Ndonëse shumica prej tyre nuk janë të dëmshme për njeriun, këto viruse mund të ndikojnë në jetën e gjallesave ujore, përfshirë balenat dhe krijesat me guaskë të fortë.
Shkencëtarët kanë filluar të kuptojnë se si këta organizma të vogël mund të luajnë rol në jetën dhe kiminë e deteve dhe oqeaneve.
Hulumtuesit e Universitetit Shtetëror të Ohios e hartuan hartën botërore të viruseve detare duke u bazuar në mostrat e ujit të detit nga 80 zona të ndryshme përreth globit. Sasia e tyre doli të jetë gati 12 herë më e madhe sesa vlerësimet e mëparshme.
Studiuesit u befasuan kur zbuluan se të gjitha këto lloje të viruseve mund të kategorizohen në vetëm pesë grupe në bazë të vendit dhe thellësisë ku ata jetojnë.
“Kur i analizuam gjenet e viruseve në secilën prej këtyre komuniteteve, gjetëm dëshmi të përshtatjes gjenetike ndaj zonave të ndryshme të oqeanit”, tha hulumtuesja Ann Gregory.
Befasia e dytë ishte që Arktiku kishte shumë lloje të viruseve. Më parë besohej se vendet që kanë më shumë llojllojshmëri të mikroorganizmave janë zonat pranë ekuatorit, shkruan “BBC”.