Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq e ka pranuar se ka dështuar përfundimisht ideja e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai sot tha se ideja është shembur sepse njerëzit kanë menduar ndryshe, dhe se sipas tij ky dështim do t’i kushtojë shumë Serbisë për 20 vitet e arsdhshme, shkruan lajmi.net.
“Të gjithë ata që e bënë Kosovën të pavarur, ndërsa flisnin për korrigjimin, janë shtirur si të paaftë, sepse nuk donin të thoshin se ata janë për Kosovën si të tërë e pavarur nga Serbia. Për këtë është angazhuar Rada Trajkoviç, sikurse kancelarja gjermane Angela Merkel dhe të gjithë të tjerët”, tha Vuçiq.
“Idetë e mia kanë dështuar. Kjo do të kushtojë popullin tonë, vendin tonë brenda 20-30 vjetëve. Nuk mendoj se do të kem një ngushëllim personal që dikush do të thotë se isha largpamës”, tha Vuçiq.
Sipas presidentit serb, të gjithë ata që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe që kanë ndihmuar në këtë proces kanë ndihmuar në dështimin e kësaj ideje, gjë që sipas tij ka qenë një mashtrim i atyre shteteve.
Vlen të theksohet se Samiti i Berlinit nga shumë analistë ishte parë si vendi ku do të varroset ideja e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.
E këto deklarata të Vuçiq vijnë pikërisht pas këtij Samiti, ku Gjermani është deklaruar haptaz si kundërshtari më i madh i kësaj ideje.