Blerim Devolli i jep ultimatumin e fundit Telekomit – 14 ditë afat deri në bllokimin e llogarive bankare

Brenda një jave Telekomit të Kosovës mund t’i vihet ‘dryni’.

Z-Mobile përmes një letre zyrtare të siguruar nga Gazeta inFokus, i ka kërkuar kryeshefit ekzekutiv të Telekomit, Bedri Istrefi që në një afat brenda dy javësh të kryhet borxhi prej 25 milionë e 900 mijë eurove.

Data e dërgesës së kësaj letre shënon 26 prill 2019, që i bie se Telekomit i ka mbetur edhe një javë kohë që ta paguajë këtë borxh.

E në të kundërtën në letrën e siguruar nga Gazeta inFokus thuhet se Z-mobile do të fillojë procedurat e përmbarimit.

Sipas asaj që shkruhet në dokument, borxhi nga vendimi i Arbitrazhit ka arritur në shumën e 25 milionë e 900 mijë euro.

“Tani vendimi i Arbitrazhit është i përmbarueshëm dhe kamatat ligjore rriten çdo ditë, prandaj vonesat në pagesën e borxhit nga Vendimi i Arbitrazhit më së paku i konvenojnë Telekomit të Kosovës. Duke pasur parasysh të lartcekurat ju lusim që brenda afatit prej 14 ditësh nga data e pranimit të kësaj shkrese të deklaroheni se a dëshironi ta paguani borxhin vullnetarisht, pa nevojë nga ana jonë që të inicohen procedurat e përmbarimit”, thuhet dokument.

“Ne jemi në pritje të propozimit tuaj për ekzekutimin e Vendimit të Arbitrazhit dhe përgjatë afatit të lartshënuar nuk do të marrim veprime tjera ligjore. Në rast të mosgatishmërisë suaj për t ëgjetur zgjidhjen për pagesën e borxhit, ne jemi të detyruar të inicojmë procedurat e përmbarimit, të cilat janë shumë të kushtueshme për Telekomin”, vazhdon letra që mban logon e Z-mobile, por që është dërguar në emër të Dardafon.net LLC si pronare e saj.

Me autorizim të drejtuesve të Z-mobile, nënshkrimin e saj e ka bërë Valon Basha.

Më herët, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka pati deklaruar se në rast se Telekomi paguan këtë borxh ndaj Z-mobile, atëherë kompania publike do të falimentonte, shkruan Gazeta inFokus

Si shkak i gjendjes së rënduar financiare, Lluka ka thënë se Telekomi nuk ka kapacitete që ta kryejë këtë borxh.

“Nuk guxon të ndodhë që Z-Mobile ta dërgojë për inkasim. Duhet të fokusohemi për një zgjidhje përfundimtare, edhe për ndërprerje të kontratës, por një zgjidhje që pagesa të bëhet në një formë që nuk e dëmton Telekomin. Telekomi nuk mund të paguajë menjëherë, e as të marrë kredi, por duhet gjetur forma me rata apo diçka tjetër”, pati thënë Lluka.

Por, si nisi problemi i Telekomit me Z-mobile?

Më 25 janar të vitit 2016, Z-mobile e dërgoi Telekomin e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Kompania që udhëhiqet nga Blerim Devolli fillimisht përmes kësaj Gjykate kërkoi që Telekomi t’ia paguante 44 milionë euro dëmshpërblim.

Gjithë këto para, kompania i arsyetoi duke thënë se Telekomi e dëmtoi atë qëllimisht.

Z-mobile pretendonte që gjithë këto dëme iu shkaktuan gjatë periudhës 2011-2014.

Njëri prej dëmeve më të mëdha të cekura në padi, sipas kompanisë së Blerim Devollit ishte problemi me ofrimin e shërbimit 3G dhe 4G, si dhe ndarja e disa Sim Kartelave dhe numrave mobil, që Telekomi do të duhej të bënte ndaj Z-mobile, shkruan Gazeta inFokus

Asnjëra prej këtyre obligimeve sipas padisë nuk ishte përmbushur.

E përveç kësaj, aty theksohej se Telekomi drastikisht reduktojë kualitetin e shërbimeve vetëm për konsumatorët e Z-mobile.

Asokohe, drejtori menaxhues i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa pati deklaruar se pretendimet e Z-mobile janë të pabaza.

Megjithatë, kjo shifër prej 44 milionë eurosh të kërkuara në Arbitrazh, tashmë ka zbritur në 25 milionë e 900 mijë euro.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme