Javë më parë Qeveria e Kosovës ka hapur konkurs për dy anëtarë të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit. Konkursi është mbyllur më datë 30 prill0. Por, vlerësimi i kandidatëve po synohet të bëhet nga një Komision i kundërligjshëm i emëruar prej Qeverisë së Kosovës.
Organi Shqyrtues i Prokurimit –OSHP është institucioni që i vë në telashe zyrat e prokurimit publik në Kosovë, më së shumti ministrinë e Infrastrukturës.
OSHP-ja po ballafaqohet me mungesën e dy anëtarëve. Andaj, Qeveria e Kosovës ditë më parë hapi konkurs për dy pozita. Në mbledhjen e fundit të Qeverisë, me propozim të kryeministrit është hartuar një Komision Përzgjedhës për rekomandimin e kandidatëve për anëtarë në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Lajmi.net ka kërkuar nga Zyra për informim e Kryeministrit të Kosovës që të citojë saktë nenin e ligjit që ia lejon Qeverisë të themelojë Komision për këtë punë, por kjo zyre nuk është përgjigjur në asnjë pyetje.
Komisioni i themeluar nga Zyra e kryeministrit përbëhet nga tre sekretarë permanent, nga Kryetari i Bordit të Komision Rregullativ të Prokurimit Publik, Osman Vishaj, dhe Isuf Zejna –menaxher i programit në OJQ-në “Demokracia Plus”.
Pika 2 e këtij vendimi thotë, se Komisioni Përzgjedhës i kandidatëve për anëtarë të Bordit në OSHP, do të zbatojë rregullat e Ligjit nr. 04 /L-042 për Prokurimin Publik me ndryshimin dhe plotësimet e bëra me Ligjin nr. 04 /L-237, Ligjin Nr, 05 /L-068 dhe Ligjin Nr. 05 /L-092. Në fakt ky ligj e rrëzon krejt vendimin e Qeverisë.
Lajmi.net ka kërkuar një përgjigje nga Osman Vishaj, kryetar i Bordit të KRPP-së, nëse i njëjti do të marrë pjesë në këtë Komision që bije ndesh me LPP-në.
KRPP nuk ka dhënë përgjigje të prerë, e kanë cituar nenin e prokurimit ku tregon se cilat janë kompetencat e KRPP-së, ndërsa për vendimin kanë thënë se duhet të pyetet qeveria.
“Konform nenit 87, paragrafit 2, nën-paragrafit 2.8 të Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-237, Ligjin Nr. 05/L-068 dhe Ligjin Nr. 05/L-092, duke u bazuar në të dhënat e shkresës suaj KRPP iu këshillon si në vijim: Sipas nenit 87 të LPP-së, në funksion të KRPP-së, është interpretimi i dispozitave të këtij ligji dhe legjislacionit dytësor të nxjerrë nga KRPP në bazë të autorizimeve që i janë dhënë me këtë ligj. Andaj, për rastin në fjalë, është nxjerrë Vendim nga Qeveria e Kosovës dhe këtë pyetje për sqarim mund të ia parashtroni Qeverisë së Kosovës- Zyrës ligjore të Kryeministrit”, thuhet në një përgjigje të departamenti i rregullave në KRPP.
Dy pozitat vakante për anëtarë të Organit Shqyrtues të Prokurimit janë në Listën e Pozitave që do të mbështeten nga Projekti i Rekrutimit i Ambasadës Britanike.
Lajmi.net ka kërkuar një përgjigje nga Ambasada nëse do të marrin pjesë në këtë rekrutim, në të cilinë është shkelur ligji qysh në start.
Ardian Nrecaj, zyrtarë për informim në Ambasadën e Britanisë ka thënë për lajmi.net, se Ambasada është e inkurajuar me vendimin e Qeverisë për të plotësuar këto dy pozita. Ndrecaj nuk është përgjigjur në pyetjen nëse komisioni i themeluar nga Qeveria është i kundërligjshëm.
“Rekrutimi i çdo pozite në të cilën është i përfshirë partneri jonë zbatues bëhet në pajtim të plotë me ligjin në fuqi. Siç e dini, Ligji parasheh: “Qeveria i propozon Kuvendit së paku dy kandidatë për pozitën e lirë të kryetarit të OSHP-së dhe së paku dy kandidatë për secilën pozitë të lirë të anëtarëve të OSHP-së […]. Ne jemi shumë të inkurajuar me vendimin e Qeverisë që për herë të parë propozimin për dy pozitat vakante në OSHP ta bëjë përmes një konkursi të hapur dhe transparent për cdo qytetar të interesuar të aplikojë, dhe jo t’i propozojë këta emra përmes një procesi të mbyllur dhe jo transparent. Ky proces është ende duke vazhduar, dhe është duke u mbështetur nga partneri jonë zbatues i projektit, në përputhje të plotë me dispozitat e ligjit në fuqi”, tha zëdhënësi i ambasadës britaneze.
Isuf Zejna nga Demokracia Plus, i cili është pjesë e anuarve të komisionit qeveritarë ka zbuluar disa detaje të vendimit të Qeverisë, vendim të cilin e ka mbrojtur. Përgjigja e tij është në kundërshtim me LPP-në, nenin 100 që e rregullon këtë problematikë. Ai ka thënë se paneli qeveritar nuk do të bëjë këtë përzgjedhje, por vetëm e përcjell listën me nga 2 kandidatë për secilën pozitë të lirë për Bordin e OSHP-së për në Kuvendin e Kosovës dhe pastaj Kuvendi do të themelojë komisionin e vet përzgjedhës.
“Në lidhje me këtë çështje ne kemi marr një kërkesë nga Ambasada Britanike në Prishtinë që të bëhemi pjesë e këtij paneli, duke marr për bazë punën tonë në mbikëqyrjen e OSHP-së që nga vitit 2016. Ambasada është bazuar në interpretimin e Zyrës Ligjore të Kryeministrit të cilët e kanë parë të mundshme një gjë të tillë. Në lidhje me këtë konkurs i cili edhe do të monitorohet nga kompania e përzgjedhur nga Ambasada Britanike. Ne e kemi parë si të arsyeshme që të përfshihemi me qëllimin e mirë që të ndikojmë në shtimin e besimit në procesin e përzgjedhjes së anëtareve të bordit të këtij institucioni shumë të rëndësishëm. Për vlerësimin tonë kjo nuk ka përbërë shkelje ligjore, pasi që paneli qeveritar nuk do të bëjë këtë përzgjedhje, por vetëm e përcjell listën me nga 2 kandidatë për secilën pozitë të lirë për Bordin e OSHP-së për në Kuvendin e Kosovës. Pastaj Kuvendi do të themeloj komisionin e vet përzgjedhës i cili do të bëjë vlerësimin e kandidatëve që ka pranuar nga Qeveria e Kosovës. Këtë komision Kuvendi do të themeloj në përputhje me Nenin 100 të Ligjit të Prokurimit Publik. Në anën tjetër përfshirja e organizatave të shoqërisë civile në përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve të agjencive të pavarura është edhe një zotim i Qeverisë në kuadër të Agjendës për Reformë Evropiane (ERA) dhe Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në të cilën thuhet”, tha Zejna.
Megjithëkëtë, ai akoma nuk është i sigurte nëse do të jenë pjesë e panelit qeveritar.
“Në vazhdim pas pyetjeve tuaja ne jemi konsultuar edhe me kryetaren e këtij paneli e cila na ka njoftuar se edhe një herë Zyrën Ligjore të Kryeministrit për të marr një vendim përfundimtarë nëse do të marrim pjesë ose jo në këtë komision përzgjedhës. Qëllimi ynë pra është që të ndihmojmë në avancimin e sundimit të ligjit në vend dhe në asnjë mënyrë shkelja apo anashkalimi i tij. Në anën tjetër përfshirja e organizatave të shoqërisë civile në përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve të agjencive të pavarura është edhe një zotim i Qeverisë në kuadër të Agjendës për Reformë Evropiane (ERA) dhe Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në të cilën thuhet: Zotimi: “Sigurimi i një proces i përzgjedhjes që është transparente, i bazuar në merita dhe jo-politik, në harmoni me ligjin, për të gjitha institucionet e pavarura, agjencitë dhe organet rregullative, si dhe në kompani publike; zbatimi i plotë i rekomandimeve nga Agjencia e Kosovës Kundër Korrupsionit”, përfundoi Zejna.
Ndryshe, ka kohë që OSHP-ja është pa dy anëtarë të bordit, meqë duhet t’i ketë pesë sosh.
Aktualisht janë vetëm tre, Blerim Dina –kryetar, anëtar Goran Milenkovic e Nuhi Paçarrizi.