Çështja çame dhe politika e jashtme e Shqipërisë

Autor: Viliem Kurtulaj

Çështja çame është kthyer në qendër të diskutimeve publike në vend, por edhe në qendër të diskutimeve mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kurtulaj shkruan se kjo çështje ka vetëm zgjidhje kolektive dhe shqiptarët me shtetin e tyre janë të vetmit që mund ta shtyjnë këtë çështje drejt zgjidhjes

Çështja çame kohët e fundit duket se është bërë refreni i politikës së jashtme të Shqipërisë. Si duket, marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore nuk mund të krijohen duke anashkaluar çështjet themelore e as duke shkelur mbi to.

Megjithëse guximi për të ngritur një çështje që pala tjetër e quan të vdekur, është pozitiv, shpeshherë çështja trajtohet jo në mënyrën e duhur. Në media, politikanë, gazetarë e analistë kanë prirjen ta trajtojnë çështjen thjesht si çështje pronash. Disa të tjerë i përqasen çështjes nën petkun e nacionalizmit, çka është përsëri e gabuar.

Shqiptarët e Çamërisë janë qytetarë europianë si gjithë të tjerët dhe pavarësisht kombësisë së tyre ata nuk mund të përjashtohen nga gëzimi dhe ushtrimi i të drejtave të njeriut. Fakti që janë shqiptarë, ata nuk i bën qytetarë të dorës së dytë. Njësoj si grekët e Dropullit apo serbët e Kosovës, edhe shqiptarët e Çamërisë duhet të gëzojnë të drejtat e tyre sipas konventave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Në diskursin politik dhe publik, çështja degradohet nga një çështje kombëtare, nga një çështje e të drejtave të njeriut, në një çështje kthimi apo kompensimi pronash. Pra, shteti grek i ka marrë pronat disa shqiptarëve në Greqi dhe nuk po ua rikthen. Njëjtë sikur shteti i Malit të Zi i ka marrë shqiptarëve në Ulqin pronat në ullishtat e Valdanosit dhe refuzon t’jua kthejë.

Ose, le të themi njësoj sikur “Jorgo” nga Janina i ka zënë tokën fqinjit të tij shqiptar dhe ky i fundit sorollatet lart e poshtë për të marrë pronën e tij. Pra, sidoqoftë thjesht probleme me pronat dhe në Greqi, njësoj si në Shqipëri. Me këtë qasje të degraduar të kësaj çështjeje, Greqia mund të na thotë që ju në Shqipëri keni pafund probleme të pazgjidhura me pronat, zgjidhini tuajat fillimisht.

Mirëpo çështja është shumë më e gjerë se kaq. Çështja e ashtuquajtur çame, për ne shqiptarët është çështje kombëtare, është çështje e identitetit tonë, është çështje e drejtave tona. Përveç kësaj, mbi të gjitha “çështja çame” është çështje e të drejtave të njeriut.

Diskutimi për zgjidhjen e kësaj çështjeje duhet të trajtohet duke qëndruar te thelbi i çështjes. Shteti shqiptar duhet ta adresojë çështjen si shkelje e të drejtave themelore të njeriut. Shteti grek, në fund të fundit mund të akordojë një fond për kompensimin e pronave të çamëve dhe çështja mbyllet. Por a zgjidhet çështja çame me këtë?! Sigurisht që jo! Kjo çështje nuk zgjidhet vetëm me kthimin apo kompensimin e pronave të shqiptarëve të masakruar e të dëbuar nga Greqia.

Nëse Greqia nuk do arrijë ta mbajë këtë çështje të vdekur, kjo do ishte qasja që asaj do i leverdiste me shumë. Por si zgjidhet çështja çame dhe çfarë duhet të kërkojë shteti shqiptar dhe të gjithë aktorët e tjerë që janë vërtet të interesuar ta zgjidhin këtë çështje një herë e mirë!

Shqipëria duhet të kërkojë që çështja çame të zgjidhet sipas Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut ose siç njihet me emrin zyrtar Konventa për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore.

Kjo konventë është një traktat ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore në Europë. Të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Europës janë nënshkruese të Konventës dhe janë të detyruara ta zbatojnë atë. Pra, çështja çame është një problem i të drejtave të njeriut dhe vetëm duke u trajtuar si e tillë ajo mund të zgjidhet.

Thënë ne terma konkretë, zgjidhja e kësaj çështjeje do të thotë: a) mundësi kthimi i popullsisë çame në trojet e tyre; b) rikthimi i pronave; c) njohja zyrtare si minoritet shqiptar në Greqi; d) ushtrimi i të gjitha të drejtave që rrjedhin nga njohja e këtij statusi në bazë të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, siç janë liria e arsimimit në gjuhën shqipe, liria e besimit, liria e përfaqësimit etj.

Dikush mund të thotë që meqë iu referova Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, shqiptarët e Çamërisë t’i drejtohen Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, ose gjykatave greke për të kërkuar të drejtën e tyre.

Në rastin më të mirë, kjo qasje është naive. Ky nuk është problem individual dhe as nuk është thjesht problem pronash. Ky është problem kolektiv, dhe problemet kolektive zgjidhen në mënyrë kolektive. Madje ky është problem ndërshtetëror tashmë prandaj kërkon zgjidhje sipas këtij statusi.

Çdo tentativë tjetër për të ndryshuar natyrën e problemit, çon ujë në mullirin e interesave të shtetit grek dhe nuk i jep zgjidhje kësaj çështjeje.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme