Kryeparlamentari Kadri Veseli, në një adresim në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se Kosova do të vazhdojë të kërkojë themelimin e një Tribunali ndërkombëtar për krimet e Serbisë në Kosovë. Ai thotë se Tribunali i Hagës ka dështuar ta vendosë drejtësinë për krimet serbe në Kosovë ndërkaq thotë se drejtësia ndërkombëtare në vend, ka dështuar krejtësisht.
“Prej tyre janë mijëra burra, gra, pleq, fëmijë e të rinj të Kosovës që janë vrarë e masakuruar. Një e vërtetë që po tenton të mohohet nga shteti serb. Bëhet fjalë për krime e masakra që shteti serb ka kryer me platformë e strategji politike. Nëse ne të gjallët nuk kërkojmë drejtësi, rrezikojmë të barazohet viktima me xhelatin. Ky Kuvend ka obligim njerëzor mbi të gjitha, që kriminelët t’i vë para drejtësisë. Dua të them se pa drejtësi për këto krime, edhe për skeptikët e edhe për kundërshtarët strategjik e politik, dua të them se nuk ka paqe. Nuk ka fqinjësi të mirë. Kosova ka marrë dhe merr të gjitha obligimet përmbi vete. Ne kemi krijuar Gjykatën Speciale dhe ky proces do të shkojë deri në fund. Jemi krenarë në luftën e UÇK-së dhe jemi të bindur për pastërtinë e saj. Po flasim për gjëra të ndara, po flasim për krimet e shtetit serb, për një gjykatë që do të dënojë krimet e shtetit serb në Kosovë, këto krime me përmasa të gjenocidit janë qindra mijëra në Kosovë, në mesin e tyre ka shumë gra e fëmijë, mijëra gra të dhunuara, 1 milion shqiptarë të dëbuar nga Kosova, një përpjekje e ngjashme me Holokaustin. Pas 20 vjetësh ende nuk ka drejtësi. Tribunali i Hagës ka dështuar t’i dënojë këto krime po ashtu edhe drejtësia ndërkombëtare në vend ka dështuar krejtësisht. 189 vjet dënime për shqiptarët, gjera vetëm 29 dënime për serbët. Kush ka qenë agresori këtu? “, ka thënë Veseli.
Ai ka thënë se Kosova do të veprojë si shtet dhe si komb përballë kësaj çështje.