“Transporti”, rast gjyqësor i vënë në mesin e rasteve të shënjestruara për liberalizmin e vizave në Gjykatën e Mitrovicës, është shtyrë për afat të pacaktuar.
Në këtë rast janë të akuzuar 19 persona, të cilët sipas Prokurorisë Speciale kanë bërë kontrabandimin e 52 ngarkesave me derivate të naftës, 2 ngarkesave me vaj hidrol dhe 3 ngarkesave me nitro-tretës.
Trupi gjykues i përbërë nga Beqir Halili kryetar dhe Burim Ademi e Avni Mehmeti anëtarë ka njoftuar sot palët ndërgjyqëse në këtë rast se ashtu siç ishin marrë vesh në seancën e kaluar do të bëhej një ekspertizë e re lidhur me rastin.
Ndërsa pas kësaj me aktvendim trupi gjykues ka caktuar ekspertët financiarë: Ismet Hasani, Rizah Blakaj dhe Ramadan Sejdiu.
“Detyrat të cilat do t’i kenë ekspertët do të caktohen me urdhëresë të posaçme”, ka shtuar gjykatësi Beqir Halili.
Kurse ekspertiza e mëhershme financiare në ekspertizën e kaluar financiare në seanca gjyqësore është elaboruar nga ekspertët Shaban Baftiri dhe Xhevdet Krasniqi, përmes së cilës ishin evidentuar shmangie tatimore dhe doganore të disa kompanive të derivateve, bazuar në raportet e kontrollit të Administratës Tatimore të Kosovës dhe raporteve të Shërbimit Doganor të Kosovës.
Ndërsa eksperti Baftiri në seancën e 11 majit të vitit 2018, kishte thënë se në ekspertizën financiare të datës 29 nëntor 2016 nuk është i përfshirë mendimi i tij si ekspert.
Shqyrtimi i sotëm është shtyrë në kohë të pacaktuar, ndërsa seanca e radhës do të caktohet pas pranimit të ekspertizës financiare.
Në seancën e sotme paraprakisht është veçuar procedura ndaj të pandehurit Dukagjin Latifi, për arsye se i njëjti nuk ka prezantuar në seancë ndërsa sipas gjykatësit Beqir Halili nga raporti policor i datës 06.05.2019 është vertetuar se nuk gjendet në Kosovë, kurse sipas familjarëve ka rreth tre muaj që i njëjti gjendet në Gjermani.
Ndërsa trupi gjykues ka kërkuar po ashtu nga prokurori Atdhe Demaj që të deklarohej lidhur me disa CD të përgjimeve të cilat mungonin lidhur me të akuzuarin Xhevat Spahija.
Prokurori Demaj më pas ka deklaruar se kishte bërë verifikimin.
“Këto CD ekzistojnë por sot nuk i kam me vete dhe të njëjtat janë dorëzuar në gjykatë, por në seancën tjetër do t’ia sjell Gjykatës“, tha Demaj.
Gjithashtu në këtë seancë u bë administrimi i provave duke përfshirë raportet 15 ditore të fotografimit dhe vezhgimit me video në vendet publike sipas urdhëresave të Gjykatës për të pandehurit.
Prokuroria Speciale e Kosovës akuzon Besim Zeqirin dhe Ismet Zeqirin se në fillim të vitit 2012 kanë themeluar grupin kriminal me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore financiare.
Sipas Prokurorisë, këta të akuzuar nga Serbia dhe Mitrovica e Veriut kanë sjellë në mënyrë ilegale në vazhdimësi mallra të kontrabanduara, si derivate të naftës, vajra motorike etj.
Në aktakuzë thuhet se në periudhën kohore qershor-dhjetor 2014, të njëjtit me të gjithë pjesëtarët e grupit nga Serbia në Kosovë kanë bërë kontrabandimin e 52 ngarkesave me derivate të naftës, 2 ngarkesave me vaj hidrol dhe 3 ngarkesave me nitro-tretës.
Sipas aktakuzës, këto mallra më pas janë shpërndarë nëpër qytete të ndryshme të Kosovës me qëllim që të akuzuarit vetes apo personit tjetër t’i sjellin dobi pasurore, duke bërë shmangien nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore në shumën prej 30.000 eurove.
Për këto veprime të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal, lidhur me veprat penale kontrabandim i mallrave, tregtia e ndaluar dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.
Për të njëjtën vepër akuzohen edhe Agron Zymeri, Gentrit Zymeri, Canabeg Hyseni, Ali Muzliukaj, Liridon Hyseni, Ridvan Avdiu, Dukagjin Latifi, Besnik Istrefi dhe Azem Islami.
Po ashtu edhe të pandehurit Xhevat Spahija, Shkëlqim Jusaj, Selami Morina, Sabri Hasani, Burim Hasani, Nexhat Mazreku, Demë Lokaj, Alban Nikçi, Fadil Çollaku dhe Albion Lokaj akuzohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal lidhur me veprat penale -kontrabandim i mallrave dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.
Gjithashtu, gjatë kontrollimit të shtëpive të të pandehurve Agron dhe Gentrit Zymeri, Ismet Zeqiri, Canabeg Hyseni, Azem Islami, Fadil Çollaku, Demë Lokaj dhe Alban Nikçi Policia ka gjetur dhe ka konfiskuar armë.
Me këtë këta të akuzuar kanë kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve.