Rasti ‘Badovci’: Dënohet me 3 vjet burgim Fehm Musa, akuzohet për terrorizëm

Fehmi Musa, është dënuar me 3 vjet burgim pas një vendimi nga Gjykata Themelore e Prishtinës, ai po akuzohet për dhënie të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale të terrorizmit, transmeton Gazeta Metro.


Musa ka qenë i bashkakuzuar në rastin e njohur si “Badovci”, por pasi që Gjykata Supreme kishte miratuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të ushtruar nga mbrojtja, me ç’rast ishin anuluar aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe të Apelit, duke ia kthyer lëndën për rivendosje shkallës së parë.

Musa është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 100 eurosh.

Prokurorja Drita Hajdari, në fjalën përfundimtare të mbajtur më 7 maj 2019, ka rikualifikuar veprën penale nga ndihmë në kryerjen e veprës penale terroriste, në atë të dhënies së ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale terroriste.

Ndryshe, aktakuza ndaj Musës dhe të bashkakuzuarve të tij, Besnik Latifit, Gazmend Halitit, Milazim Haxhiajt, Enis Latifit ishte ngritur me 4 dhjetor 2015, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), shkruan Kallxo.com.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit sipas marrëveshjes paraprake, më 10 korrik 2015, kishin shkuar tek liqeni i Badovcit, që me ikonografin e terrorit të organizatës terroriste ISIS, ta incizojnë një video propaganduese, në të cilën kishin pasur për qëllim që ta lexojnë betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “ISIS” dhe ta publikojnë këtë video në internet, për ta dëshmuar para botës shtrirjen e të ashtuquajturit “Shteti Islamik” në Republikën e Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se pasi të akuzuarit ishin ndalur në afërsi të liqenit, ishin vërejtur nga rojtarët e liqenit, të cilët e kishin njoftuar Policinë e Kosovës, e cila kishte arritur në vendin e ngjarjes dhe i kishte arrestuar të pandehurit Besnik Latifi, Enis Latifi dhe Milazim Haxhiaj, derisa të pandehurit Gazmend Haliti dhe Betim Ibrahimaj ishin arratisur nga vendi i ngjarjes, të ndihmuar nga i pandehuri Fehmi Musa.

Ndërsa, Musa po akuzohet se më 11 korrik 2015, rreth orës 02:00 të mëngjesit, kishte shkuar tek liqeni i Badovcit dhe me veturën e tij e kishte bartur të pandehurin Gazmend Haliti deri në fshatin Hajvali dhe të pandehurin Betim Ibrahimaj deri në Istog, edhe pse e kishte ditur qëllimin e qëndrimit të tyre tek liqeni i Badovcit, si dhe duke e ditur se me atë rast ata ishin arratisur nga policia.\

Ndryshe, Gjykata Supreme e Kosovës, më 29 maj 2018, kishte miratuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të ushtruar nga mbrojtësi i të dënuarit Fehmi Musa dhe detyrimisht të anulohen vendimet e nxjerra nga Gjykata Themelore në Prishtinë të 19 korrikut 2017 dhe ai i Apelit i 24 tetorit 2017, duke ia kthyer lëndën për rivendosje shkallës së parë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme