Ka gjashtë muaj prej kur Qeveria e Kosovës ka pezulluar të gjitha vendimet e saj për kthimin e pronave shoqërore në ato komunale. Një grup punues i krijuar atëkohë ende nuk e ka dhënë fjalën e fundit për mënyrën se si duhet vepruar me këto vendime, ndërsa në Zyrën e Kryeministrit kanë këmbëngulur se vendimmarrja ka qenë e ligjshme, shkruan sot Koha Ditore.
Qeveria e ka ndërmarrë masën e pezullimit, pasi presidenti Hashim Thaçi e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese një nga vendimet e ekzekutivit, me të cilin i kaloheshin Mitrovicës Veriore të gjitha pronat shoqërore që janë në territorin e saj.
Kreu i shtetit e kishte shfrytëzuar këtë vendimmarrje për ta akuzuar kryeministrin Ramush Haradinaj se donte të krijonte një realitet të ri në veriun e vendit të banuar me serbë. Në një intervistë në “Rubikon” të KTV-së, Thaçi ka thënë se me këtë vendim po krijohej rrethana e një “ndarjeje të butë” të Kosovës. Ishte kjo kundërpërgjigje ndaj Haradinajt, sipas të cilit ideja e “korrigjimit të kufirit”, për të cilën Thaçi është pajtuar në procesin negociator me Serbinë, nënkupton pikërisht ndarjen e vendit.
Në nëntorin e vjetëm Qeveria e drejtuar nga Haradinaj pati aprovuar një propozim të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për t’i kthyer pronat shoqërore në pronësi të Mitrovicës Veriore. Kjo nën arsyen se Komuna “ka shumë pak prona të lira”.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)