E mërkurë, 16 Nentor 2016 – Sakte.net /
Pas përfundimit të afatit për paraqitjen e listave për deputetë dhe verifikimit të tyre nga ana e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, zyrtarisht në zgjedhjet e 11 dhjetorit do të garojnë 11 subjekte nga të cilat 5 janë koalicione ndërsa 6 janë parti politike.
Koalicionet janë: “Për Maqedoni më të mirë” të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, koalicioni i LSDM-së, koalicioni “Aleanca për Shqiptarët”, koalicioni “VMRO për Maqedoninë” dhe koalicioni “Për ndryshim dhe drejtësi”. Partitë të cilat do të garojnë të vetme janë: BDI, PDSH, Lëvizja Besa, PPD, E Majta dhe Partia Liberale.
Të gjithë drejtuesit e partive shqiptare garojnë në zonën e 6-të, ku paraqiten si bartës të listave. Ali Ahmeti i BDI-së, Menduh Thaçi i PDSH-së, Bilall Kasami i Lëvizjes Besa, Ziadin Sela i Lëvizjes për Reforma në koalicion me Rilindjen Demokratike Kombëtare dhe Unitetin, ndërsa Lidhja Social Demokrate me Petre Shilegov.
Numër 2 në listën e LSDM-së në po këtë zonë është Gjylimsere Kasapi, një aktiviste për të drejtat e grave dhe pedagoge universiteti.
Gara më interesante për palën maqedonase do të jetë te katërshja në të cilën duhet të ballafaqohen liderët e VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, Nikolla Gruevski dhe Zoran Zaev. Në të njëjtën njësi do të tentojnë të fitojnë vota edhe Lupço Georgievski dhe Sllobodan Bogoevski.