Zgjedhjet vendore do të zhvillohen në 13 tetor! Kjo është data e re e dekretuar sot nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, të cilën kreu i shtetit e njoftoi gjatë një konference të jashtëzakonshme për mediat. Vendimi i Metës erdhi pas takimeve që zhvilloi sot me kryetarin e PD, Lulzim Basha, krerët e partive të koalicionit opozitar si dhe ambasadorët e vendeve të BE, ndërsa kryeministri Edi Rama refuzoi ftesën.
Meta tha se ka dekretuar këtë datë për dy arsye, për t’u dhënë mundësi të gjitha partive politike që të marrin pjesë në një proces gjithëpërfshirës zgjedhor. Dhe së dyti, në mënyrë që Shqipëria të marrë dritën jeshile për çeljen e negociatave, së bashku me Maqedoninë e Veriut, gjatë mbledhjes së BE e cila përkon vetëm pak ditë pas këtyre zgjedhjeve.
“Për dy arsye kam vendosur 13 tetorin. Është dita më e shpejtë për të organizuar zgjedhje të përgjithshme vendore gjithë përfshirëse jo vetëm sa i takon vullnetit të atyre që dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje por njëkohësisht edhe që dëshirojnë sipas të gjitha afateve ligjore dhe proceduriale të jenë të përfshirë në një administrim gjithëpërfshirës të procesit zgjedhor.
Arsyeja e dytë sepse e kam nënvizuar edhe në 8 qershor kur bëra publik vendimin dhe e kam ritheksuar dhe në 10 qershor në shpjegimet para jush, një nga arsyet kryesore ka të bëjë me garantimin e vazhdimësisë të integrimit europian, të mos shkëputjes së Shqipërisë nga Maqedonia Veriore lidhur me momentin e çeljes së negociatave. Për fat të keq kemi humbur mjaft kohë, por për fat të mirë ende në axhendën e BE është për të marrë një vendim për të dyja vendet në tetor dhe Këshilli i BE-së është në 17-18 tetor. Duke zgjedhur 13 tetorin si datën më të shpejtë për të garantuar zgjedhje gjithëpërfshirëse për të gjithë ata që duan të marrin pjesë dhe për të dhënë një mesazh pozitiv për një vendim pozitiv nga Këshilli i vendeve të BE”, tha Meta.
I pyetur nëse ka garanci se opozita do jetë pjesë e këtyre zgjedhjeve, pas bojkotit të 30 qershorit, Meta u përgjigj:
“Detyra ime është t’u jap mundësinë të gjithëve që të refletojnë. Të heqin dorë nga axhendat e ngushta maksimaliste secila palë. Duke qenë se është objektiv kombëtar i mazhorancës dhe opozitës, i të gjtihë shqiptarëve, anëtarësimi në BE, të sillen në mënyrë europiane në këto orë, në këto ditë në këto muaj që kanë mbetur për të marrë çeljen e negociatave në 17-18 tetor, gjatë mbledhjes së BE. Nuk do të ketë asnjë bashki me një kandidat, pa kandidat alternativ. Nuk do të ketë asnjë bashki pa kandidatë alternativë“, u shpreh presidenti Meta.