Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku ka rikthyer në vëmendje fjalimin e fuqishëm të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kjo në prag të një vizite që Çitaku do të zhvillojë në shtetin e tij, si zyrtarja e parë e Kosovës.
Çitaku ka shkruar se nuk mund të mos kujtojë mesazhet e Netanjahut në momentet më të vëshira për popullin kosovar.
‘’Teksa unë drejtoj Komitetin Amerikan hebraik për vizitë në Izrael, si diplomatja e parë nga #Kosova, si e ftuar speciale e Projektit, nuk mund të mos i kujtoj mesazhet e fuqishme mbështetëse të Izraelit për Kosovën që erdhën në momentet e saj më të errëta’’, ka shkruar Çitaku.
Në një fjalim të vitit 1999, Netanjahu kishte thënë se më shumë se çdokush tjetër, populli hebre bashkëndjen me atë që po i ndodhte Kosovës.
‘’Asgjë nuk është e krahasueshme dhe as nuk mund të krahasohet me Holokaustin e popullit tonë. Por si hebrenj nuk mund të qëndrojmë duarkryq kur përballen me imazhe të Kosovës, me mijëra refugjatë të dëbuar nga shtëpitë e tyre, me fytyrat e frikshme që shikojnë nga trenat në hekurudha dhe nga fëmijët që kanë humbur prindërit e tyre. Si hebrenj, këto pamje nga prekën më shumë se çdo popull tjetër dhe si hebrenj ne kemi një përgjegjësi të veçantë për të kujtuar, kuptuar dhe vepruar’’, ishte fjalimi i tij.