Në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, ka dy ditë që ka nisur Festivali i Birrës dhe Verës, por duket që as ky edicion s’po kalon pa incidente.
Në eventin e argëtimit dhe adhuruesve të pijeve alkoolike, vetëm nata e dytë, që u mbajt mbrëmë, përfundoi me përleshje mes disa të rinjve, madje tre nga ta përfunduan të lënduar si pasojë e përdorimit të mjeteve të ftohta.
Ndonëse kjo gjë u mohua nga organizatorët e këtij festivali, të cilët thanë për Indeksonline se çdo gjë po shkon siç duhet dhe se vetëm një incident i vogël nga ndodhur në natën e parë, Policia e Kosovës raporton për tre të lënduar në Prishtinë gjatë natës së djeshme.
Njëri nga incidentet ka ndodhur në rrugën “Luan Haradinaj” në orën 22:35, ndërsa tjetri në rrugën “Garibaldi” një orë më vonë.
“Në rrugën “Luan Haradinaj” në orën 22:35 nga një i dyshuar i panjohur është therur me thikë viktima mashkull shqiptar. I njëjti ka pranuar tretman mjekësor dhe më pas është liruar.
Po ashtu në rrugën “Garibaldi” nga i dyshuari NN në orën 23:22 janë therur me mjet të mprehtë-thikë dy persona- viktima, të cilët janë dërguar nga QKUK. Viktimat janë ndaluar në QKUK për tretman mjekësor”, thotë për Indeksonline Zyra për Informim e Policisë së Kosovës, të cilët deklarojnë se njësitet përkatëse janë duke i hetuar të dyja rastet.
Ndryshe, në rrjete sociale në lidhje me mbarëvajtjen e festivalit pati edhe kritika të shumta sa i përket moshës, ku të mitur të shumtë janë parë duke konsumuar alkool.
Por, edhe kjo është mohuar nga organizatorët e Beer and Wine Festival.
“Të miturit që janë nën moshën 18 vjeç po shoqërohen nga prindërit, por shitja nuk u ka ndodhur atyre. Në të kundërtën dhe se çdo gjë po kontrollohet nga Policia e Kosovës që po bën një punë fenomenale”.
Kujtojmë që festivali do të mbahet deri më 9 të këtij muaji.