Vitin e kaluar, qeveria e Shqipërisë vendosi taksë në ‘Rrugën e Kombit’.
Një vendim i tillë solli pakënaqësi të madhe te qytetarët e Kosovës pasi bregdeti shqiptar më së shumti frekuentohet nga turistët kosovarë dhe vetëm për një kalim me veturë duhet paguar 5 euro.
Kundër këtij vendimi, ishte qeveria e Kosovës dhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj pati kërkuar që Shqipëria duhet t’i heq të gjitha barrierat ndaj Kosovës në mënyrë që të ndihmohet fuqizimi i ekonomisë nga të dy vendet. Ndërsa, presidenti shqiptar, Ilir Meta tha se duhet të gjendet një mënyrë për largimin e kësaj tarife, por këto kundërshtime nuk sollën rezultat.
Së fundi ishte deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj ai që bëri thirrje të hiqet taksa në ‘Rrugën e Kombit’ pasi sipas tij po iu kushton qytetarëve më shumë se karburantit.
Tutje, Nitaj paralajmëroi Shqipërinë se nëse edhe ‘Kosova fillon të vë taksa, nuk i dihet se ku del hesapi’.
Një gjë e tillë nuk ndodhi pasi qeveria e Kosovës nuk mori ndonjë masë.
Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu ka thënë për lajmi.net se si qeveri janë deklaruar kundër kësaj takse, por nuk kanë marrë ndonjë masë.
“Ne jemi deklaruar si ministri e Infrastrukturës dhe si qeveri se është e padrejtë kjo taksë, kemi kërkuar edhe në shumë takime ndërmjet dy qeverive që të largohet. Kjo taksë i ndëshkon qytetarët e Kosovës. Ne nuk mund të marrim këso masa karshi një shteti tjetër, ne jemi të përkushtuar vetëm për autostradat tona jemi duke analizuar të gjithë situatën që mos ta rëndojmë buxhetin e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Kadriu.
Sa i përket vendosjes së taksës në autostradat e Kosovës, Kadriu ka thënë se kanë punuar në këtë drejtim dhe vitin e ardhshëm pritet të vendoset taksë minimale sa për t’i mbuluar shpenzimet që duhen për mirëmbajtje të rrugëve.
Një ditë më parë, gazetari Adriatik Kelmendi, publikoi në Facebook një tabelë të krahasimit për çmimin e tarifave rrugore në vende të ndryshme të Evropës, e cila na bënë të kuptojmë se kjo e Shqipërisë është ndër më të lartat.
Shikojeni krahasimin:
Tuneli i Kalimashit në Shqipëri 5 euro vetëm për një kalim
Derisa vinjeta rrugore për krejt Zvicrën është 36 euro (40 chf) për 1 vit të plotë
Vinjeta për Austri është 9 euro për 10 ditë
Vinjeta për Slloveni 15 euro për 7 ditë
Vinjeta për Hungari 12 euro për 10 ditë
Vinjeta për Bullgari 8 euro për 7 ditë
Sa të pasura janë këto shtete e sa Shqipëria e Kosova?
GDP nominale e Zvicrës është 83,583 dollarë
GDP e Austrisë – 51,708 dollarë
GDP e Sllovenisë – 26,586
GDP e Hungarisë – 16,016
GDP e Bullgarisë – 9,080
GDP e Shqipërisë vetëm 5,261
GDP e Kosovës vetëm 4,324.
“Kjo s’do të thotë që nuk duhet të shkojmë për pushime në Shqipëri, se duhet të dalim përtej kalkulimeve korruptive e kriminale të individëve në pushtet; vetëm t’iu tregojmë se edhe budallë nuk jemi. Marre”, shkroi Kelmendi në Facebook.
Në ‘Rrugën e Kombit’ motoçiklistët (klasi 1) paguajnë 2.50 euro, mini-busët dhe makinat 5 euro (klasi 2), autobusët (klasi 3) 11.30 euro, kamionët e vegjël (klasi 4) 16.30 euro dhe kamionët e mëdhenj (klasi 5) do të paguajnë 22.60 euro.
Kujtojmë se autostrada që lidh Shqipërinë me Kosovën, filloi të ndërtohej në vitin 2006 dhe përfundoi në vitin 2010, me ndërtimin e Tunelit të Kalimashit.