Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit, por vendimet e tij mbesin në fuqi deri në qeverinë e radhës.
Kështu do të ndodh edhe me taksën 100 për qind të vendosur për produktet serbe dhe boshnjake nga kryeministri Haradinaj – gjë që ngjalli reagim të madh të Bashkësisë Ndërkombëtare dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Madje, kryeministri Haradinaj edhe në fjalimin e tij të dorëheqjes përmendi taksën e cila sipas tij do të qëndroj deri në njohjen e Kosovës nga Serbia – e këta të fundit, heqjen e taksës e kanë vendosur kusht për rifillim e dialogut.
Bashkimi Evropian, shtete të fuqishme si Gjermania e Franca kanë kërkuar disa herë radhazi hapur heqjen e taksës nga Haradinaj dhe vazhdimin e dialogut, por kjo nuk ka ndodhur.
Edhe kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, letra e Donald Trump, vizitat e zyrtarëve të Departamentit të Shtetit e Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë nuk i bënë përshtypje Haradinajt – ato hasën në vesh të shurdhër, taksa nuk u hoq, ndërsa raportet SHBA – Kosovë u zbehën tej mase.
SHBA-të paralajmëruan edhe masa ndaj Haradinajt i cili në asnjë mënyrë nuk pranoi që kjo taksë të largohej dhe ajo po mbetet ende në fuqi.
Por, çfarë duhet të veprojë qeveria e ardhshme me taksën dhe sa e ka dëmtuar raportin Kosovë – SHBA taksa dhe mosdëgjueshmëria e ish-kryeministrit Haradinaj?
Njohësi i çështjeve politike Shkodran Ramadani për lajmi.net është shprehur se kërkesa për pezullimin e taksës do të jetë kusht dhe kërkesë edhe për qeverinë e ardhshme.
“Edhe pse qeveritë në Kosovë mund të ndryshojnë, raportet dhe dinamikat ndërkombëtare nuk është se ndryshojnë shumë, dialogu përsëri do të vazhdojë dhe kërkesa e SHBA-së për pezullimin e tarifës vazhdon të jetë e tillë dhe do ta tejkalojë edhe fazën e zgjedhjeve dhe do të vlejë si kusht dhe kërkesë edhe për qeverinë e ardhshme”, tha Ramadani për lajmi.net.
Më tutje, ai është shprehur se kjo taksë duhet të pezullohet për shkakun se dialogu duhet të vazhdojë dhe kjo është kërkesë e SHBA-ve, Gjermanisë e Francës.
“Kjo për shkak se dialogu është temë që duhet të mbyllet dhe duhet të vijë koha kur ky proces duhet të rinisë dhe për të rinisur, taksa duhet të heqet dhe ky është qëndrim i SHBA-ve, Gjermanisë dhe Francës, që do të thotë se qeveria e ardhshme do të përballet me presionin e pezullimit të tarifës”, tha Ramadani për lajmi.net.
Ramadani ka theksuar gjithashtu se AAK-ja dhe Ramush Haradinaj do ta përdorin si kauzë masën tarifore.
“Do të rritet gjithashtu edhe presioni i brendshëm për të mos e hequr taksën, e sidomos nga AAK-ja dhe Ramush Haradinaj do ta përdorin si kauzë, si kartë, si masë të cilën AAK-ja e ka vendosur me demek të faktorizojë Kosovën që ta forcojë pozicionin politik në raport me Serbinë dhe do ta promovoj vetën si mbrojtës i interesave të Kosovës”, tha Ramadani.
Njohësi i çështjeve politike gjithashtu ka thënë për lajmi.net se Vetëvendosja në pushtet do të vepronte njëlloj si AAK-ja, duke thënë se LDK-ja do të ishte më konstruktive.
“Nëse vjen Vetëvendosja në pushtet, do të sjellet njëlloj si AAK-ja dhe do të jetë më pak reaguese ndaj kërkesave të ndërkombëtarëve. LDK-ja mendoj se mund të jetë më fleksibile në këtë aspekt”, tha ai.
Sipas tij, Partia Demokratike e Kosovës do të bënte zgjedhjen kreative për pezullimin e taksës në mënyrë që të dëgjohet kërkesa e SHBA-ve.
“Partia Demokratike në momentin që e ka rastin, nëse e ka shansin të qeverisë do ta pezullonte tarifën, nuk do ta largonte, por do ta pezullonte – do të bënin një zgjedhje kreative ta pezullonin për t’i hapur rrugë dialogut dhe i përgjigjet kërkesës së SHBA-ve”, tha Ramadani për lajmi.net.
Se sa i ka dëmtuar raportet Kosovë – SHBA kjo taksë, Ramadani tha se është evidente që kjo ka ndodhur, pasi kërkesa e SHBA-ve ka hasur në vesh të shurdhër.
“Se sa e ka dëmtuar raportin SHBA – Kosovë kjo, kur e marrim parasysh insistimin e SHBA-ve për pezullimin e kësaj tarife, duke e parë edhe letrën e Trumpit, dërgimin e emisarëve të Departamentit të Shtetit në Kosovë, Ambasada Amerikane – do të thotë se një kohë të gjatë kërkesa e SHBA-ve ka hasur në vesh të shurdhër”, tha Ramadani për lajmi.net.
Ramadani ka nënvizuar faktin se Haradinaj e ka mbajtur SHBA-në jashtë dialogut dhe ia ka pamundësuar përfshirjen në procesin e dialogut.
“Duke e ditur karakterin impulsiv të kabinetit të Donald Trumpit në SHBA nuk besoj se janë të kënaqur, e madje mendoj se janë shumë të pakënaqur me trajtimin që Kosova dhe kryeministri Haradinaj ua ka bërë kërkesave të tyre sepse me këtë masë, Haradinaj e ka mbajtur SHBA-në jashtë dialogut dhe ia ka pamundësuar nisjen e një procesi që do të kontrollohej nga SHBA-të”, tha Ramadani për lajmi.net.
Ramadani ka thënë se raporti i tanishëm është i dëmtuar, por jo i parikuperueshëm, por sipas tij nëse vazhdon kështu do të rritet hendeku midis Kosovës dhe SHBA-ve duke shtuar se masa nuk janë marrë dhe nuk dihet se çfarë masa mund të marrin SHBA-të saktësisht.
Gjithashtu, ekspertë të ekonomisë patën vlerësuar se taksa 100 për qind i ka hapur rrugë ekonomisë informale dhe e ka dëmtuar Kosovën ekonomikisht.