Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, gjatë ditës sotme ka bërë homazhe te lapidari i Mulla Nusret Hajdari dhe Mehmetali Shukri Behlul dhe ka marrë pjesë në tubimin përkujtimor kushtuar këtyre dy dëshmorëve.
Me këtë rast ai çmoi lart rolin e Mulla Nusret Hajdari dhe Mehmetali Shukri Behlul për sakrificën që kanë bërë për liri, teksa tha se gjithë dëshmorët që i nderojnë sot, janë ata që i vënë themelet për këtë shtet.
Haradinaj, mes tjerash, tha se duhet bërë gjithçka që të largohen pengesat po iu bëhen njëri-tjetrit në Kosovë për t’u bërë shtet 100 për qind, transmeton kp.
“Mos të harrojmë, se ne jemi përcaktuar të jemi shtet në mesin e të gjitha shteteve. Dëshmorët që i nderojmë, janë ata që i vënë themelet për këtë shtet. Për qëllimet që janë të mëdha ka dhe pengesa shumë. Një pjesë të pengesave ia bëjmë vetit dhe njëri-tjetrit. Nëse vazhdojmë t’i kalojmë këto pengesa, vazhdojmë të afrohemi nga një liri më e plotë, nga një shtet qind për qind shtet”, tha ai.
Edhe nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, shprehu fjalët më të mira për dëshmorët që kanë rënë për liri të Kosovës. Ndërsa, Mulla Jonuz Ramadani duke folur për dëshmorët, tha se veprimtaria e tyre ka qenë gjithmonë në shërbim të çlirimit të Kosovës.
Pjesë e këtij tubimi kishte dhe përfaqësues të tjerë, të cilët përkujtuan dhe çmuan veprën e këtyre dy dëshmorëve.