Ndonëse LDK ende nuk ka vendosur se kush do të jetë i nominuari i partisë për kryeministër, deputeti i këtij subjekti Haxhi Avdyli ka thënë se Vjosa Osmani është personi adekuat për t’u vendosur si kandidate e LDK-së për kryeministre të Kosovës.
Një gjë të tillë, siç Avdyli është shprehur, e kanë dëshmuar edhe qytetarët edhe sondazhet e bëra në vazhdimësi.
“Unë e kam dhënë mendimin tim personal, por ky mendim është i bazuar edhe në mendimin e qindra-mijëra aktivistëve gjithandej Kosovës, të cilët e shohin personalitetin e Vjosa Osmanit, si një person që mund ta bëjë LDK-në fituese në këto zgjedhje”, ka deklaruar ai për Zërin.
Në çdo sondazh dhe në çdo takim me qytetarët sipas Avdylit vërehet një përkrahje masive ndaj Vjosa Osmanit si kandidate e mundshme për kryeministre. Ndaj, siç ai është shprehur, LDK duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi.
“Normalisht për këtë vendosin organet e partisë, por besoj që organet e partisë do ta kenë parasysh vullnetin e anëtarësisë së tyre, sepse konsideroj që Vjosa Osmani është një aset i LDK-së shumë i çmuar dhe besoj që këtë aset partia jonë, LDK, do ta shfrytëzojë për ecje të mëtutjeshme drejt të bërit të LDK-së fituese të këtyre zgjedhjeve”, ka nënvizuar Avdyli.
Ndërkohë, deputetja tjetër e LDK-së, Valentina Bunjaku, ka bërë të ditur tashmë se si kandidat për kryeminsitër nga LDK e mbështet Lutfi Hazirin.