Alternativa për Kosovën, caktimin e seancës për shpërndarjen e Kuvendit me datën 22 gusht, po e sheh si të qëllimshme, nga partitë që sipas do të tentojnë të gjejnë një zgjidhje pa zgjedhje.
Kryetarja e kësaj partie, Mimoza Kusari-Lila në një intervistë për Ekonomia Online thotë se beson që partitë të jenë të sinqerta kur flasin për zgjedhjet e reja.
“Uroj që partitë të jenë shumë serioze edhe të sinqerta kur thërrasin për zgjedhje, ose kur thonë se janë të gatshme për zgjedhje. Fakti që e kemi një shtyrje kaq të madhe tregon se është blerë kohë në një kuptim klasik të fjalës për t’u munduar për të arritur ndonjë marrëveshje, ose ndonjë zgjidhje pa zgjedhje. Nuk mund të arsyetohet shtyrja ose dallimi një muaj nga dita kur kryeministri në largim Haradinaj dha dorëheqje, deri kur u bisedua për thirrjen e seancës në të cilën do të shpërndahej Kuvendi”, thotë ai.
Deputetja Kusari-Lila thotë se çfarëdo kalkulimi për të krijuar një qeveri teknike, do të ishte shkelje e rënd e demokracisë në vend.
Sipas saj, një qeveri teknike do të ishte e mandatuar vetëm për të vazhduar dialogun me Serbinë dhe assesi për t’i adresuar problemet dhe kërkesat e qytetarëve kosovarë.
“Çfarëdo kalkulimi, arnimi i qeverisë pa proces zgjedhor në Kosovë, do të ishte një shkelje e rëndë e demokracisë. Por në rast se agjenda e Kosovës përcaktohet diku tjetër atëherë tregojmë se me të vërtetë nuk po prezantohemi si sovran, a po si ata që jemi vendimmarrës në shtetin tonë. Presidenti Thaçi me kompetencat që i përcakton Kushtetuta e Kosovës, prej momentin kur e ka marrë pozitën, ka ushtruar më tepër aktivitet sesa presidentët e mëhershëm”, thotë ajo.
Kusari-Lila thotë se duke e njohur të kaluarën e presidentit Thaçi, ai edhe mund të provojë një gjë të tillë, por që nuk do të jetë e dobishme për qytetarët e vendit, dhe se në Kosovë nuk do të mund të flitej më për demokraci.
“Ajo çka duhet të them është se në rrethanat në të cilat janë krijuar ai mund të gjejë ndonjë zgjidhje me partitë të cilat thonë se për hir të interesit të vendit janë bërë bashkë në qeveri. Por, ajo qeveri teknike, ose qeveri me mandat të caktuar për një temë dhe do të jetë vetëm në funksion të dialogut me Serbinë. Ajo qeveri nuk mund të adresojë interesat e qytetarëve të Kosovës, apo domosdoshmëritë me të cilat mandatohet një qeveri që t’i zgjidhë problemet e qytetarëve. Ajo qeveri do të mandatohej vetëm për procesin e dialogut i cili nuk ka ecur mirë këto vite ka qenë jotransparent dhe nuk është menaxhuar mirë dhe i cili ka qenë në pronësi të dy-tre personave, por jo informatë të gjerë për opinionin. Në rast se ndërtohet kjo qeveri vetëm për dialogun, atëherë demokracisë në Kosovë duhet me ia bë pauzë”, thotë ajo.
Për më tepër, kryetarja e Alternativës, dyshon nëse më 22 gusht do të shpërndahet Kuvendit, ngase sipas saj vakuumi kohor që është krijuar lë hapësirë për “zhvillime të papritura”.
“Deklarativisht janë 80 deputetë të cilët po thonë se Kuvendi duhet të shpërndahet, por faktikisht a do të ndodh, unë kam dyshime. Nuk mund të them se jam e sigurt as për njërën zgjidhje, as për tjetrën. Mendoj se të dy opsionet janë në tavolinë dhe prej kësaj date deri në 22 gusht shumë gjëra mund të ndodhin. Mbetet të shihet nga partitë që janë më të mëdha dhe kanë më shumë deputetë, të cilat mund të jenë pjesë e diskutimeve për ndonjë zgjidhje tjetër pa zgjedhje”, thotë ajo.
E nëse shpërndahet Kuvendi dhe vendi shkon në zgjedhje,. Kusari-Lila thotë se kanë dy alternativa për koalicion të mundshëm.
Ajo thotë se kanë filluar bisedimet me Vetëvendosjen, por do të preferonin një koalicion të përbashkët me LDK-në.
“Ne e kemi mbajt raportin shumë kolegial dhe bashkëpunues me LDK-në dhe VV-në gjatë kësaj periudhe dyvjeçare, jo shumë të frytshme në Kuvendin e Kosovës, me shumë probleme dh3e sfida të legjislaturës. Deri më tani konkretisht kemi pasur biseda me VV-në për mundësi të bashkëpunimit, por të pakonkretizuar. LDK-ja ka qenë më tepër e angazhuar në procesin brendshëm zgjedhor, tash është edhe me konstituimin e organeve. Ne natyrisht që kemi qenë gjithmonë të bindur se opozita e bashkuar mund të ishte qeveria e ardhshme e fortë, natyrisht me vota në Kuvend, por edhe me mandat të qartë dhe me vizion për zhvillim”, thotë ai.
Por një koalicion mes dy partive më të mëdha opozitare Kusari-lila po e sheh si të vështirë të realizueshëm.
“Nuk na takon neve ti shtyjmë këto dy parti për shkak se të dyja i kanë organet e veta. Por duke parë vendimmarrjen brenda strukturave politike unë kam dyshime që mund të arrihet një marrëveshje edhe përkundër vullnetit të lidershipit që të shkohet në një listë të përbashkët. Alternativa garon me njërën nga dy këto parti”, thotë ai.
Alternativa për Kosovën në zgjedhjet e 2017-së, ishte pjesë e listës së LDK-së, ndërsa fitoi dy deputetë.
Por, që Ilir Deda zgjodhi që të funksionoi si i pavarur në Kuvendin e Kosovës.