Ende nuk dihet se kur do të mbahen zgjedhjet e parakohshme, mirëpo këto zgjedhje pritet t’i kushtojnë mjaft shumë buxhetit të Kosovës.
Buxheti i Kosovës për këtë vit ishte 2.3 miliardë euro mirëpo, i njëjti pritet të varfërohet edhe më shumë me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, kjo pasi që Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit muajin e kaluar.
Edhe pse ende nuk dihet kur do të mbahen zgjedhjet e parakohshme, pasi që seanca për shpërbërjen e Kuvendit do të mbahet më 22 gusht, të gjitha partitë politike kanë kërkuar që ato të mbahen sa më parë.
Ministri në detyrë i Financave, Bedri Hamza, ka thënë për lajmi.net, se ende nuk dihet se sa do të jetë buxheti i këtyre zgjedhjeve, por ai ka theksuar se në momentin e krijimit të kushteve për shpalljen e zgjedhjeve dhe kërkesën nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), për buxhetin, kjo ministri do të transferojë mjetet e kërkuara.
“Se sa buxhet duhet për zgjedhje ne ende nuk kemi marrë kërkesë prej KQZ-së, ende nuk janë shpallur zgjedhjet. Ne së pari presim që të krijohen kushtet legale për me u shpallë zgjedhjet dhe mas krijimit të shpalljes së kushteve legale për shpalljen e zgjedhjeve, KQZ-ja duhet me u drejtu një kërkesë të specifikuar dhe të arsyetuar se sa i nevojiten. Pastaj mbi bazën e kësaj kërkese ne si Ministri e Financave brenda infrastrukturës ligjore e bëjmë transferin e mjeteve kur krijohen kushtet legale”, deklaroi Hamza për lajmi.net.
Ai ka thënë se mjetet për zgjedhjet e jashtëzakonshme janë të rregulluara me Ligjin e Buxhetit mirëpo, Hamza tha se janë në pritje të përgjigjes nga Gjykata Kushtetuese për ta definuar edhe pozitën e tyre.
“Me ligjin e buxhetit është e rregulluar kjo çështje, por duhet me u qartësu fillimisht edhe pozita jonë dhe po e presim përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Hamza.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka thënë se KQZ është në pritje të vendimit të Kuvendit të Kosovës.
“KQZ-ja është në pritje të vendimit të Kuvendit të Kosovës dhe në këtë situatë, për aq sa i takon KQZ-së, ne jemi në gjendje gatishmërie për të filluar me përgatitjet intensive, pasi të udhëzohemi për këtë gjë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të angazhohet maksimalisht në përmbushjen e detyrave kushtetuese dhe ligjore, kurdo që i kërkohet”, deklaroi Elezi për lajmi.net.
Mirëpo se sa buxhet i nevojitet KQZ-së për zgjedhjet e parakohshme, Elezi ka thënë se kjo akoma nuk dihet përderisa Kuvendi nuk merr ndonjë vendim më 22 gusht.
Sipas tij, kjo ka bërë që KQZ-ja të mos bëj asnjë hap në lidhje me konkretizimin e dokumentit për buxhet.
“Nuk kemi akoma një dokument të konkretizuar pasi, siç e thashë më lartë, jemi në pritje të vendimit të Kuvendit të Kosovës dhe KQZ-ja do të veprojë në përputhje me detyrimet ligjore që ka. Viti 2019 nuk është vit zgjedhor, çka do të thotë se në Ligjin e Buxhetit të miratuar nga Kuvendi nuk ka mjete të planifikuara për zgjedhje. Duke u mbështetur edhe në praktikat e kaluara, pra kur kemi zgjedhje të jashtëzakonshme, KQZ-ja bën kërkesë buxhetore në Qeveri për mjete financiare për mbajtjen e zgjedhjeve”, theksoi Elezi.
Elezi po ashtu ka bërë të ditur se kostoja e përgjithshme e zgjedhjeve të fundit parlamentare ishte 4 milionë euro.
Theksojmë se Qeveria e Kosovës kishte miratuar buxhetin për vitin 2019 me vlerë prej 2.3 miliardë euro, buxhet ky që ishte konsideruar si më i madhi.