Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka kritikuar të parin e PDK-së, Kadri Veselin lidhur me premtimet që ky i fundit po i bën për korrupsion dhe nepotizmin.
Mustafa ka thënë se këta njerëz që e kanë kultivuar korrupsionin dhe nepotizmin nuk mund ta luftojnë as njërën e as tjetrën.
“Jo, jo! Ata që e kanë kultivuar korrupsionin dhe nepotizmin nuk mund ta luftojnë as njërën e as tjetrën. Veç mund ta reformojnë dhe reorganizojnë për nevoja të veta”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Sipas tij, ata persona të cilët i shkaktuan dëme vendit nëpërmjet kontratave të ndryshme, duhet të shkojnë në lavazh e të pastrohen mirë, brenda e jashtë.
“Ata që lidhën kontrata të dyshimta dhe të dëmshme në Telekom; ata të aferës së pasaportave; ata të vjedhjes së dhomës së dëshmive; ata që i mbushën kompantë publike me njerëz partiak; ata që fabrikuan dhe nënshkruan vërtetime të rrejshme për veteranë të luftës; ata që e katandisën paranë publike ; ata…. duhet të shkojnë në lavazh, të pastrohen mirë, brenda e jashtë. Jo të qeverisin me Kosovën!”, ka shkruar Mustafa.