Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhanë javën e kaluar dorëheqje nga Bordi i Agjencisë për Verifikimin e Pronës. Paraprakisht një veprim të tillë e kishte bërë më herët edhe Britania e Madhe.
Naser Shala, nga ambasadorët e vendeve të huaja në Kosovë po konsiderohet si njeri jo kredibil, i pakualifikuar dhe i ndikuar politikisht për të pasur një pozitë të tillë.
Përpos afërsisë së tij me kryeministrin në largim, Ramush Haradinaj, Shala po del të jetë edhe në lidhje biznesore me deputetin e Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shalën.
Ky i fundit në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka deklaruar se ka 15 përqind aksione në kompaninë “Altro SH.P.K”.
Bashkë me deputetin e Nismës Socialdemokrate, në këtë kompani aksione ka edhe Naser Shala.
Ai posedon përqindje të njëjtë të aksioneve me Haxhi Shalën, teksa Luan Karaçica figuron si drejtor dhe person i autorizuar i kompanisë.
Në bazë të të dhënave të ofruara nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, “Altro SH.P.K”, është regjistruar në vitin 2009 si biznes.
I njëjti është aktiv tani e 10 vite, teksa aktivitet kryesor e ka tregtinë me pakicë në dyqane jo të specializuar, ku mbizotëron ushqimi, pijet dhe duhani.
Në profilin e tij në Facebook, nuk mungojnë shkrimet dhe fotografitë përkrahëse ndaj kryetarit të AAK-së, tani ish-kryeministër.
Për largimin e SHBA-ve nga Bordi i Agjencisë për Verifikimin e Pronës kishte reaguar edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Ai kishte thënë se largimi i amerikanëve nga ky Bord është dëshmia më e mirë se si nepotizmi po e dëmton Kosovën si dhe marrëdhëniet me aleatët e saj.