Analisti i çështjeve politike e ekonomike, Lumir Abdixhiku, ka thënë se refuzuesit dhe kundërshtuesit e përfshirjes së policisë britanike në hetimet për vdekjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, janë kundër gjetjes së vërtetës dhe drejtësisë për Deharin.
“Kushdo që refuzon e kundërshton përfshirjen në hetime të policisë prestigjioze angleze “Scotland Yard”, kundërshton dhe nevojën për gjetjen e së vërtetës e bërjen e drejtësisë për Astritin. S’don as të vërtetë e as drejtësi; s’di çka don”, ka shkruar Abdixhiku në llogarinë e tij në Facebook.
“Hetim ndërkombëtar e i pavarur, mbetet kërkesa kryesore e shoqërisë civile e po besoj e secilit që don drejtësi. Përfshirja e “Scotland Yard”, si një ndër institucionet më kredibile në botë, e plotnon këtë kërkesë”, ka vlerësuar Abdixhiku.
Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, dhe Kryeprokurori Aleksander Lumezi, kanë drejtuar një kërkesë në drejtim të Ambasadës Britanike në Prishtinë për përfshirjen e hetuesve ndërkombëtarë për zbulimin e vdekjes së Astrit Deharit.