Tipi i lëkurës, gjendja e lëkurës, qëllimi i tretmanit, buxheti, mosha dhe cilësia e ajrit janë përcaktues se sa shpesh duhet të bëni tretmane të fytyrës.
Tretman nuk do të thotë pastrim klasik me avull, por bëhet fjalë për metoda të sofistikuara jo-invazive që nënkupton përkujdesje sa më të mirë me shërim shumë të shpejt. Metodat e tilla janë pilingu me anë të kremrave, mikrodermabrazioni, terapia me dritë apo forma tjera jo shumë të kushtueshme, por shume efikase. Mesatarisht, tretmani një herë në muaj është ideal për dikë që kujdeset mirë për lëkurë, sipas farmacistit dhe magjistri i kozmetikës, Krenar Dobroshi nga Qendra “Estethica”.
Duke marrë parasysh që lëkura është një organ, sipas tij i duhen afërsisht 30 ditë qelizave të zhvendosen nga dermisi (shtresa e poshtme e lëkurës) në sipërfaqen e lëkurës apo epidermis, ku qelizat vdesin dhe gradualisht hiqen nga lëkura, shkruan Koha Ditore.
Megjithatë, sipas profesionistit, se sa shpesh mund të bëhen tretmane të tilla ndikojnë faktorët e lartpërmendur.
Tipi i lëkurës
Nëse keni lëkurë të yndyrshme problematike me akne, pore të mbyllura, apo me pika të zeza, duhet të bëni trajtim çdo 2 javë derisa të qetësohet dhe të pastrohet lëkura. “Kur lëkura merr formën e saj të dëshiruar, atëherë mund ta reduktoni kohën në një herë në muaj. Nëse keni lëkurë normale, pra të kombinuar dhe të thatë tretmani një herë në muaj është i mjaftueshëm”, këshillon Dobroshi.
Qëllimi i tretmanit
Nëse dëshironi të keni një lëkurë të mrekullueshme për tërë jetën, gjeni profesionalistin tuaj të preferuar sa më herët në jetë, bëni një regjim të kujdesit të mirë dhe përmbajuni.
“Çdokush nuk i jep prioritet të lartë dukjes personale dhe pasojat vërehen qysh në fillim të 30’-tave. Kjo sigurisht është gabim. Duhet ta merrni më seriozisht kujdesin ndaj lëkurës që në moshë të hershme. Këtë mund ta bëni vetëm me një profesionist”, shton farmacisti..