Tri universitetet publike – “Isa Boletini” në Mitrovicë, “Haxhi Zeka” në Pejë dhe “Ukshin Hoti” në Prizren – të cilat nuk kanë marrë akreditim institucional për 1 vit, janë në pritje të një vendimi tjetër të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim).
Përfaqësues të këtyre 3 institucioneve e kanë konfirmuar për Kohën Ditore se kanë bërë ankesë në Komisionin e Ankesave në Agjenci dhe presin që Këshilli t’ua vazhdojë akreditimin. Kjo pasi, sipas tyre, vendimi për mosakreditim ka qenë “tendencioz” dhe “joligjor”.
Të tria këto institucione kanë bërë të ditur se janë të gatshme të hapin konkurs për pranimin e studentëve të rinj nëse Bordi i Agjencisë merr vendim pozitiv.
Por, në Këshillin Shtetëror të Cilësisë kanë treguar se mbledhjen e radhës do ta kenë në fund të tetorit, dhe në atë mbledhje çështja e këtyre universiteteve nuk do të jetë fare në rend dite.
Në korrik të këtij viti Këshilli Shtetëror i Cilësisë miratoi raportet e ekspertëve ndërkombëtarë, të cilat konstatonin se këto 3 universitete nuk i plotësojnë kriteret për akreditim.
Disa nga vërejtjet që ishin gjetur ishin se universitetet kishin ofruar shumë pak dokumente në gjuhën angleze, ndonëse vlerësimi nga ekspertët bëhet në këtë gjuhë. Po ashtu, vërejtje ishte dhënë edhe për mungesën e zotimit të gjuhës angleze nga stafi, mungesa e Kodit të Etikës, mospublikimi në uebfaqe të universiteteve i rregulloreve të brendshme, raporteve të vetëvlerësimit etj.