Në një koment të tij lidhur me zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë, shkrimtari ynë i njohur Kim Mehmeti thotë se Kosovën e sunduan për një kohë të caktuar thuajse të gjitha partitë tjera përpos Lëvizjes VETËVENDOSJE. Dhe se gjitha ato më shumë i morën se sa i dhanë vendit.
Sipas Kim Mehmetit, sot është e pandershme dhe perverse të mos e përkrahësh këtë Lëvizje, e cila në të shkuarën ishte e vetmja që e mbronte vendin nga shitësit e zhvatësit e saj.
Më poshtë ua sjellim komentin e plotë të Kim Mehmetit, të publikuar në faqen e tij të FB: “Përpos Lëvizjes VETËVENDOSJE thuajse të gjitha partitë tjera e kanë sunduar Kosovën. Dhe gjitha ato më shumë i morën se sa i dhanë vendit si dhe, dëshmuan se më shumë se sa fati e mirëqenia e shtetit, i interesonte fati dhe e mira e sunduesit dhe e ‘oborrtarëve’ të tij. E VV ishte thuajse e vetmja që e flijonte vetveten për ta mbrojtur Kosovën nga këta shitës dhe zhvatës të saj. Andaj duhet të jesh hienë politike që sot ta kritikosh VV dhe liderin e saj për mjerimin që jeton Kosova. Dhe duhet të jesh mbi mesataren i pafytyrë, qëllimkeq si dhe pervers politik i përmasave monstruoze që të mos e pranosh se VV është shpresa e vetme e mbetur dhe e pa harxhuar e Kosovës!”, shkruan Kim Mehmeti.