Kosnett: Gratë në Kosovë s’kanë mundësi të barabarta për të kontribuar në ekonomi

Është shënuar sot ceremonia e përfundimit të kampit të parë veror për vajza, WiSci Kosovo, me fokus në mësime nga shkenca, teknologjia, inxhinieria, arti, dizajni dhe matematika. Në këtë kamp kanë marrë pjesë 100 vajza nga Kosova, Shqipëria, Amerika, Maqedonia Veriore, Mali i Zi dhe Serbia.

Këto vajza për 10 ditë kanë qëndruar në Prishtinë, ku kanë marrë mësime në tema novatore si robotika dhe kodimi, teknologjia e dronëve, burimet e energjisë së ripërtërira, teknologjitë e auto-rrugëve dhe tema të tjera që për qëllim kanë pasur të frymëzojnë vajzat të jenë të guximshme dhe të avancohen në arsim dhe sipërmarrje, duke ua zhvilluar besimin dhe aftësitë e tyre të lidershipit.

Ky kamp po ashtu ka synuar që t’i përgatisë vajzat për arsimin e tyre të ardhshëm dhe t’i inkurajojë ato që të ndjekin ndonjë nga rrugët profesionale të ofruara në programet STEM.

Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe ambasadori i SHBA-së Philip Kosnett, i cili tha se ky program është shumë special që të rinjtë të kenë përvoja të reja.

“Një nga arsyet që ky program është aq i veçantë është se në Kosovë ashtu sikur kudo tjetër në rajon, gratë nuk kanë mundësi të barabartë për të kontribuar në ekonomi. Pjesëmarrja e grave në tregun e punës është kritike për t’i përmbushur nevojat e sektorëve në rritje, si informatikë dhe energji…Përpjekja dhe kreativiteti që këto gra të reja kanë sjellë në WiSci dhe zhvillimi i mëtutjeshëm përmes këtij programi do t’iu sjellë mundësi për veten, komunitetet, shtetet tuaja dhe botën”, tha ambasadori Kosnett.

Drejtoresha e Millennium Challenge Corporation (MCC) për Kosovë Sarah Olmstead, u shpreh se kjo përvojë do t’i bëjë vajzat pjesëmarrëse edhe më të forta.

“Shpresoj që kjo përvojë ju ka bërë të mendoni dhe të konsideroni për çfarëdo që vendosni për të bërë rreth studimeve të së ardhmes dhe punës tuaj. Shpresoj që çdo gjë këtu ju ka frymëzuar të ndiqni rrugën e rastit dhe të zbuloni se çfarë mund të arrini”, tha ajo.

Drejtori ekzekutiv i Fondacionit të Sfidave të Mileniumit të Kosovës Petrit Selimi, ka thënë se gratë dhe vajzat shkencëtare janë të domosdoshme në shoqërinë kosovare.

“Pjesëmarrja e grave dhe vajzave në shkencë nuk është aq fascinuese meqë kjo është e nevojshme, diçka që duhet të bëhet… Përveç shkencës, ju jeni angazhuar edhe në një tjetër gjë përgjatë këtyre dy javëve –  bëhet fjalë për lidershipin”, tha Selimi.

Në ceremoninë përmbyllëse disa nga pjesëmarrëset kanë treguar përvojat e tyre, derisa kanë theksuar se gjatë dy javëve të kampit kanë mësuar shumë gjëra rreth teknologjisë që nuk i kishin ditur më herët. Ato kanë vlerësuar edhe miqësinë që e kanë krijuar gjatë aktiviteteve të kampit.

Në Prishtinë ky kamp është organizuar nga GirlUp, Intel, Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK), Korporata e Sfidave të Mileniumit (MCC), Ambasadat e SHBA-së në Prishtinë, Shkup, Podgoricë, Beograd dhe Tiranë, NASA, NREL, Microsoft, Bechtel, AmCham Kosovo, Jahal Solar, Kolegji AAB, Organizata TOKA dhe Kosova Live.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme