Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk u kanë dhënë ende drejtim konsultave rreth një koalicioni të mundshëm parazgjedhor, për të cilin gazeta ka shkruar një ditë më herët se ka pak shanse të ndodhë. Asnjëri prej subjekteve nuk pranon të heqë dorë nga kandidatët për kryeministër.
Derisa palët janë larguar në qëndrime, dy ditët e fundit është rritur doza e kritikave të ndërsjella, për shkaqet të cilat pamundësuan që opozita e deritashme të garojë me një listë të vetme, në zgjedhjet e 6 tetorit. Mesnata e 30 gushtit është afati i fundit kur partitë duhet t’i paraqesin koalicionet parazgjedhore, shkruan sot “Koha Ditore”.
Analisti Krenar Shala ka thënë se LDK-ja dhe LVV-ja po e sakrifikojnë shpresën për hir të postit të kryeministrit. Sipas tij, qytetarët duhet ta vlerësojnë vetë nëse këto dy parti e duan shtetin apo pushtetin.
“Por, jo. Unë mendoj se këto dy parti e duan së pari vetveten”, ka thënë Shala. Ai ka ironizuar me qasjen e opozitës së deritashme, duke shtuar se “LDK e VV shtetin ia kanë lënë Amerikës”.
“Prandaj qytetarët nuk duhet të kenë pritje të mëdha prej tyre. Sepse pritja është dera e dëshpërimit”, ka theksuar Shala. Sipas tij, edhe në këto zgjedhje, sikurse në ato të 2017-s, formimi i Qeverisë do të përcaktohet jo nga votuesit, por nga koalicionet parazgjedhore.