Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviq, ka thënë se serbët e Kosovës nuk dëshirojnë të votojnë për Listën Serbe në zgjedhjet e 6 tetorit, parti kjo për të cilën ajo thotë se mbështetet nga Beogradi.
“Unë besoj që populli serb, edhe pse të frikësuar, nuk do të votojnë për Milan Radojiçiqin dhe kreun e Komunës Veriore të Mitrovicës, Goran Rakiqin”, ka thënë Trajkoviq për “Danas”, transmeton Gazeta Express.
Trajkoviq ka treguar se është një prej drejtueseve të koalicionit të serbëve që do të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë.
Përveç tjerash ajo ka thënë se serbët në Kosovë janë të frikësuar, sepse nuk kanë siguri për asgjë.
“Ata janë të trembur veçanërisht pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit”, ka thënë ndër të tjera Trajkoviq.
Ajo ka folur edhe për fushatën e Listës Serbe kundër koalicionit të krijuar.
“Kritika e shprehur nga këta njerëz e që kryesohet nga Aleksander Vuçiq thjesht flet për kualitetin tonë”, shton tutje ish-deputetja.
Ndërkohë nga Serbia u është bërë thirrje të gjithë serbëve që të dalin në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit që do të mbahen në Kosovë, pas dorëheqjes së Haradinajt dhe shpërndarjes së Kuvendit të Republikës së Kosovës.