Anëtari më i ri i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi përmes një postimi i është përgjigjur Kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli rreth nismës së këtij të fundit për nënshkrimin e paktit kundër korrupsionit nga partitë politike, shkruan Gazeta Express.
Kreu i PDK-së sot në një konferencë për media i ka ftuar të gjithë liderët e partive që të nënshkruajnë paktin 10 pikësh kundër korrupsionit.
Haki Abazi i Vetëvendosjes përmes Facebookut ka ironizur me këtë nismë të Veselit, duke e krahasuar atë me nismën e narko dilerit të famshëm Pablo Escobar, sikur t’i propozonte Qeverisë së Kolumbisë marrëveshje për luftë kundër narkomafisë.
“Pablo Escobar e kishte në plan të bëjë një marrëveshje kundër narkomafisë Colombiane, vetëm njëherë po pret në radhë për vulosjen e marrëveshjes së PRONTOs kundër korrupcionit. Nënshkrimi bëhet në zyre të vendit ne Ranilluk”, ka shkruar Abazi.
Sot gjatë ditës, LDK-ja paktin kundër korrupsionit të prezantuar nga VKadri Veseli e kanë cilësuar si qesharake.
Sekretari i këtij subjekti politik, Ismet Beqiri, ka deklaruar për Express se ky propozim i PDK-së është pjesë e një fushate qesharake dhe të pakripë.
“Së pari duhet ta dimë se Veseli nuk është në pozitën të flasë për luftën kundër korrupsionit. Një pako e tillë dhe një kërkesë e tillë është hipokrizi. Me iu ofrua pako për nënshkrim të tjerëve për gjërat që PDK i ka bërë ndër vite, pra që nga qeverisja e pasluftës, është pak qesharake”, ka deklaruar Beqiri për Express.
Edhe PSD-ja e Shpend Ahmetit është deklaruar se nuk do ta nënshkruajnë paktin e propozuar nga Kadri Veseli.
“PDK duhet të shkoj në opozitë. I ka bërë mjaft dëme vendit. Sigurisht që nuk do të nënshkruajmë asgjë qe propozohet nga PDK. Qytetarët do të vendosin me votë se kush do ti përfaqësoj”, ka thënë zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi.