Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka pranuar se momentalisht nuk i kanë votat për të kaluar marrëveshjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Ai këto komente i bëri pas pjesëmarrjes në konferencën CiviKos ku u fol për bashkëpunimin në mes të Shoqërisë Civile dhe Qeverisë.
Kreu i ekzekutivit shtoi se nuk kanë hequr dorë që kjo marrëveshje të procedohet deri në fund të vitit, njofton Klan Kosova.
Po ashtu, Kryeministri Mustafa i ka thënë Listës Serbe se nuk ka dekret për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe që ata po e kërkojnë.
Kështu shefi i Qeverisë i është përgjigjur kërkesave të ministrave serb, Ljubomir Mariq dhe Dalibor Jevtiq të cilët i kanë dërguar mesazh Qeverisë së Kosovës se do të duhet ta miratojë dekretin për themelimin e AKS-së, nëse ajo me të vërtetë dëshiron kthimin e serbëve në institucione.
Sipas tij, serbët duhet t`i kthehen punës së rregullt në Qeveri për të shkruar statutin e Asociacionit por ai assesi nuk do të bie pre e kushteve të tyre, njofton Klan Kosova.