Beogradi fajësohet për nxitje tensionesh te serbët e Kosovës

Beogradi zyrtar e ka rritur presionin ndaj qytetarëve serbë të Kosovës që në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, ata të votojnë për Listën Serbe, thonë përfaqësuesit e tri subjekteve tjera politike rivale, koalicionit “Liria”, Partisë së Serbëve të Kosovës dhe Partisë së Pavarur Liberale, të cilat i takojnë komunitetit serb të Kosovës.

Për më shumë, sipas tyre, presioni i formave të ndryshme, është duke u ushtruar edhe ndaj përfaqësuesve, aktivistëve dhe simpatizuesve të subjekteve politike serbe, për ta zbehur dhe dobësuar garën e tyre për zgjedhjet e 6 tetorit.

Rada Trajkoviq nga koalicioni “Liria”, thotë për Radion Evropa e Lirë se presioni ndaj qytetarëve serbë të Kosovës është duke u bërë me kërcënimin se do t’i humbin vendet e punës në rast se ata votojnë kandidatë të subjekteve tjera politike serbe dhe jo të Listës Serbe, e cila gjatë 7 vjetëve të fundit ka qenë në pushtet.

Frikësimi i qytetarëve serbë, sipas saj, po bëhet në forma të ndryshme nga Beogradi.

“Fatkeqësisht, për momentin, presioni më i madh mbi serbët është duke ardhur nga Beogradi, nga disa qendra joformale, marrë parasysh që kemi informata që një grup i njerëzve i afërt me mafinë ose vetë mafia, këtë nuk e di, ka depërtuar te Liqeni i Ujmanit (Gazivodës), në Qendrën Ekologjike. Sipas asaj që thonë serbët nga veriu, ardhja e atyre njerëzve është në funksion të frikësimit të serbëve”, thotë Trajkoviq.

Lidhur me pohimet e zonjës Trajkoviq, kërcënimet e mundshme ndaj qytetarëve serbë dhe presionin eventual për të ndikuar në procesin zgjedhor, Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje për ndonjë hetim, por i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “në aspektin policor, e trajton çdo informacion dhe në përputhje me vlerësimet, ndërmerr veprimet e saj ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”.

Aleksandar Jabllanoviq, lider i Partisë së Serbëve të Kosovës, parti kjo e cila ka fushëveprim më të madh në veri të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se presioni ndaj qytetarëve serbë, i cili ka ekzistuar edhe më herët, tashmë është shtuar para zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Ne, si parti, kemi presion të madh dhe të tmerrshëm këtu në veri, i cili është shkaktuar nga ana e institucioneve të Qeverisë së Serbisë, si dhe nga struktura të caktuara kriminale, të cilat u janë të njohura mirë Policisë së Kosovës dhe përfaqësive diplomatike ndërkombëtare në Kosovë. Përveç pamundësimit të një veprimi normal politik, këtu ekziston një dozë e madhe e frikës dhe kjo frikë është rezultat i kërcënimeve dhe dhunës së pandërprerë të serbëve ndaj serbëve”.

“Kjo është e dirigjuar nga Beogradi me qëllimin që të frikësohen të gjithë serbët që mendojnë ndryshe nga politika zyrtare e saj, si dhe të nënshtrohen dhe dëgjojnë direktivat që vijnë nga Beogradi, e të cilat vijnë më shumë përmes qarqeve që janë më shumë kriminale dhe joformale se sa që janë zyrtare”, thotë Jabllanoviq.

Për presionin ndaj përkrahësve të subjekteve rivale të Listës Serbe, ka folur për Radion Evropa e Lirë edhe Slobodan Petroviq, lider i Partisë së Pavarur Liberale.

“Kemi disa fakte. Ja, pikërisht,një njeri në Shtërpcë është pushuar nga puna. Ai është kryetar i këshilli tonë në Komunën e Shtërpcës. Ai ka punuar atje në shëndetësi dhe është pushuar nga puna nga eprori i tij, për shkak se nuk i është përulur kërkesës së tij që të shpërndajë këshillin e Partisë së Pavarur Liberale dhe që publikisht të dalë dhe ta përkrahë Listën Serbe”, thekson Petroviq.

Pavarësisht tentimeve të Radios Evropa e Lirë për të kontaktuar me përfaqësuesit e Listës Serbe, ata nuk kanë qenë të qasshëm. Por, në një komunikatë të këtij subjekti politik, të lëshuar për media ditën e premte, Lista Serbe i ka cilësuar deklaratat e përfaqësuesve të partive tjera serbe, në paraqitjet e tyre në media, si sulme ndaj mbijetesës së popullit serb në Kosovë.

“Ajo që po bëjnë Rada Trajkoviq, Nenad Nashiq, Slobodan Petroviq dhe Slavisha Petkoviq, duke e sulmuar Listën Serbe dhe institucionet serbe, është sulm i drejtpërdrejtë ndaj mbijetesës së popullit serb. Qëllimi i tyre politik është që të shuhen institucionet serbe në Kosovë, në mënyrë që të hiqen dhjetëra mijëra paga, pensione dhe përfitime sociale, të cilat i financon shteti jonë i Serbisë dhe të fundosen në sistemin e ‘Kosovës së pavarur plotësisht’”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe, e cila është themeluar dhe ka mbështetjen e plotë nga Beogradi zyrtar.

Rreth një javë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ka thënë mediave në Serbi se kanë të dhëna dhe informacione, të cilat nuk do të publikohen kurrë, lidhur me presionin që u është bërë subjekteve të caktuara serbe që të dalin në zgjedhje, ta konkurrojnë Listën Serbe, në mënyrë që kjo e fundit të marrë sa më pak vota dhe rrjedhimisht të zvogëlohet ndikimi i Beogradit në politikën e Prishtinës.

“Unë jam i sigurt që populli serb në Kosovë do të zgjedhë të votojë për Listën Serbe, për shkak se kjo është mënyra e vetme që të mbijetojmë dhe mënyra e vetme që të punojmë bashkë dhe të luftojmë për të ardhmen”, ka deklaruar Vuçiq.

Dushan Radakoviq, drejtor ekzekutiv i Qendrës për përfaqësim të kulturës demokratike, në Mitrovicën Veriore, thotë për Radion Evropa e Lirë se ekzistojnë thashetheme nga të gjitha subjektet politike serbe për presion ndaj tyre dhe qytetarëve, por ata deri më tash, në veri të Kosovës nuk kanë të evidencuar ndonjë rast të konfirmuar. Të gjitha këto, sipas tij, paralajmërojnë fushatë zgjedhore me tensione.

“Fushata do të jetë mjaft e keqe, stresuese dhe mjaft radikale. Do të ketë akuza të mëdha nga të gjitha anët. Unë mendoj që cilado parti, qoftë e pakicave, qoftë e shumicës, shqetësimin duhet ta paraqesë në prokurorinë kompetente dhe të hetohet secila akuzë”, thekson Radakoviq.

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sylë Hoxha, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se ky institucion është duke u marrë me hetime të caktuara mbi raste që cenojnë sigurinë dhe procesin zgjedhor, po ai nuk specifikon ndonjë rast konkret.

“Po, ka pasur diçka. Sigurisht që do të ndërmerren hapat konkretë. Ne jemi duke u marrë me këtë, do të thotë, hetuesia në bashkëpunim me ne, jemi duke punuar në këtë drejtim dhe jemi duke e përcjellë gjendjen. Mirëpo, për emra konkretë dhe për raste konkrete, ende është herët të flasim. Kryesorja është se ne po merremi me këtë”, thotë Hoxha.

Sidoqoftë, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, më 6 tetor, 4 subjekte politike serbe do të garojnë për 10 ulëse të garantuara për komunitetin pakicë serb në Kuvendin e Kosovës, i cili ka 120 ulëse. Në legjislaturën e kaluar, Lista Serbe ka pasur 9 deputetë në Kuvendin e Kosovës.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme