Një trupë vëzhguesish e mandatar nga Bashkimi Evropian e ka nisur të premten misionin në Kosovë dhe ka shprehur synimin që prezenca e tyre para dhe gjatë zgjedhjeve të 6 tetorit t’i frenojë parregullsitë që i kanë shoqëruar proceset elektorale të deritashme.
Drejtues të saj, kanë shprehur brengën për moszbatim rekomandimesh nga autoritetet kosovare, të dala pas zgjedhjeve të 2017-s, shkruan sot Koha Ditore.
Viola von Cramon-Taubadel është anëtare e Parlamentit Evropian nga Gjermania dhe është caktuar kryesuese e këtij misioni vëzhguesish, i njohur si “EU EOM”. Brenda dy ditëve të fundit, ajo është takuar në Prishtinë me kryetaren e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, me zyrtarë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe me liderë dhe kandidatë të partive politike. Të premten, në fund të vizitës së saj në Kosovë, kryevëzhguesja ka folur në një konferencë shtypi, në të cilën ka theksuar se BE-ja u kushton rëndësi jashtëzakonisht të madhe këtyre zgjedhjeve.
“Si mision ne nuk jemi të interesuar në rezultatin e zgjedhjeve, nuk kemi kurrfarë interesimi që ta shohim këtë apo atë kandidat apo parti të fitojë. Ne sinqerisht shpresojmë që prania jonë do të ketë efekt pozitiv në frenimin e praktikave të pahijshme të procesit, që mund të dalin potencialisht. Ne jemi të pavarur në konkluzionet tona. Ne jemi të pavarur nga BE-ja, zyra e BE-së, vendet anëtare të BE-së, institucionet e BE-së”, ka thënë Viola von Cramon-Taubadel. “Deri në ditën e zgjedhjeve, misioni do të vlerësojë mjedisin e fushatës, çështjet që lidhen me financat e fushatës, përgatitjen e zgjedhjeve, kornizën ligjore, si dhe rolin e shoqërisë civile në proces”.
Kjo është hera e pestë që BE-ja dërgon një mision për vëzhgim të zgjedhjeve në Kosovë, që nga viti 2013. Ekipi bazë prej 9 analistësh ka arritur në Prishtinë më 7 shtator, ndërkaq 18 vëzhgues afatgjatë janë dërguar nëpër Kosovë më 15 shtator, për t’i mbuluar të gjitha 38 komunat. Në anën tjetër, 36 vëzhgues afatshkurtër si dhe një delegacion prej 7 anëtarësh të Parlamentit Evropian dhe përfaqësuesve të shteteve anëtare të BE-së në Prishtinë është paraparë t’i bashkohen misionit pak para ditës së zgjedhjeve. Kësisoj, rreth 100 vëzhgues nga shtetet anëtare të BE-së, si dhe nga Norvegjia dhe Zvicra, do t’i vëzhgojnë votimet dhe procesin e numërimit më 6 tetor. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)