Fushata elektorale është koha kur secili nga subjektet politike shpalos platformën qeverisëse para qytetarëve.
Gjatë kësaj kohe partitë politike dhe kandidatët premtojnë, zotohen si dhe bashkëbisedojnë me qytetarët për një sërë problematikash që ata i shqetësojnë dhe premtojnë zgjedhjen e tyre.
Por çfarë ndodh pas zgjedhjeve?
Politilogu i njohur Ramush Tahiri në një prononcim për Gazeta Blic thekson se të gjitha premtimet elektorale të të gjitha partive janë premtime fushate dhe asnjëherë asnjë parti apo subjekt politik nuk ka dhënë llogari për realizimin apo mosrealizimin e programit të saj elektoral.
“Të gjitha premtimet elektorale të të gjitha partive dhe të koalicioneve politike në këto zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë premtime fushate, që i bjen që janë premtime dëshirash pa ndonjë bazë reale të realizimit. Pak a shumë partitë në fushatë flasin dhe premtojnë atë që popullit pak a shumë i pëlqen, që ka dëshirë ta dëgjoje dhe që joshet për të votuar. Asnjëherë , asnjë parti ,apo subjekt politik nuk ka dhënë llogari për realizimin apo mosrealizimin e programit të saj elektoral gjatë fushatës as gjatë kohës në qeverisje as në pjesën ndërmjet dy fushatave. As mediet e opinioni nuk i bëjnë krahasimet e tilla për të pa se cila parti është parimore e programore e cila bënë demagogji veç me manipulu opinionin e me fitu zgjedhjet”.
Tahiri thotë se po manipulohen edhe sondazhet në mënyrë që të orientohen votuesit drejt një kandidati të caktuar.
“Tash koalicionet kane edhe shtabet zgjedhore dhe ekipe ekspertesh që përgatisin propagandën dhe raportet me opinionin. Gjithashtu po ndikojnë edhe në sondazhet e hulumtimet e opinionit duke favorizuar subjektet e caktuara dhe duke krijuar opinion pozitiv e negativ ne drejtim te caktuar, ne mënyre që të ndikohen votuesit që të shkojnë me fituesin e supozuar”.
Presidenti i vendit Hashim Thaçi menjëherë pas dorëheqjes së Haradinajt nga pushteti caktoi datën e zgjedhjeve të përgjithshmeve 6 tetor.