Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq ka dhënë një datë për mbledhjen e radhës e Këshillit të Sigurimit për Kosovën.
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq ka deklaruar se më 31 tetor është caktuar mbledhja e radhës e Këshillit të Sigurimit në të cilën do të diskutohet për raportin e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Kosovën.
Daçiq për “RTS” ka thënë se takimin e ka ftuar Afrika e Jugut e cila këtë muaj do ta kryesojë mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit në OKB-së, transmeton lajmi.net.
Në pyetjen nëse ia vlen të paralajmërohet bashkësia ndërkombëtare se Prishtina përgatit manipulime me votat e serbëve në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, ai ka thënë se: “vlen dhe nuk vlen sepse ata e dinë këtë”, por u zotua se do të bëjnë gjithçka që është e mundur.
Ai u bëri thirrje serbëve në Kosovë të votojnë për Listën Serbe sepse konsideroi se nuk është “pyetje partie” por Prishtina dëshiron që dikush tjetër të zgjedh përfaqësuesit dhe që në parlamentin e Kosovës të hyjnë serbët që janë kundër politikës së shtetit serb.
Duke folur për kërkesat e ndërprerjes së lobimit për tërheqjet e njohjeve të Kosovës si shtet i pavarur, Daçiq ka thënë se kjo vetëm e “inspiron” sepse kjo më së tepërmi e delegjitimizon dëshirën e Prishtinës për Kosovën e pavarur, transmeton lajmi.net.
“Ne bëjmë punën tonë dhe kjo tregon se çështja nuk ka përfunduar dhe Prishtinën e shtyn drejt kompromisit”, tha Daçiq.