Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një fjalim të mbajtur të enjten në Kuvendin e Shqipërisë ka kritikuar Evropën për kushtet e vëna ndaj Shqipërisë që, sipas tij, asnjë nga vendet ish-komuniste që tashmë janë anëtare të BE-së nuk do mund t’i plotësonin. Ai ka kritikuar BE-në edhe për kushtet e vëna Kosovës.
Për kryeministrin e Shqipërisë, Bashkimi Evropian nuk e ka sot problemin e plotësimit, ose jo plotësimit të kushteve të Shqipërisë. Por, BE-ja, sipas Ramës, sot ka një debat të brendshëm, të imponuar nga dinamika të brendshme dhe të lidhura me një periudhë të tërë krize që ka marrë të përpjetën qysh me shpërthimin e lumit të refugjatëve, shkruan sot Koha Ditore.
Si për të argumentuar këtë qëndrim, Rama sjell në Parlament rastin e Kosovës.
“Si e shpjegoni që BE-ja i thotë Kosovës që të liberalizojë vizat me ty ti duhet të bësh delimitimin e kufirit me Malin e Zi dhe ndërkohë hap kapituj negociatash me Serbinë që nuk e njeh fare Kosovën dhe jo më të ketë bërë delimitimin e kufirit. Si e shpjegoni që pasi Kosova e bën, BE-ja nuk i liberalizon vizat?
BE-ja ua ka dhënë të drejtën që të hyjnë në Bashkimin Evropian pa vizë, që nga viti 2014, mbi 100 milionë njerëzve.
E dini nga? Nga vende ku e ku më larg zemrës së Evropës sesa Kosova. Çfarë është kjo, korrupsioni dhe krimi i organizuar në Kosovë?! Kush i ha këto! I hani ju? Në qoftë se nuk i hani, atëherë mos ua jepni shqiptarëve t’i hanë se këto janë broçkulla”, ka pyetur Edi Rama në fjalimin drejtuar parlamentarëve të opozitës së re në Kuvendin e Shqipërisë…(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)