Bullgaria ka nxjerrë kërkesa dhe kushte të reja për Shkupin, në rrugëtimin e saj euroatlantik dhe në kohën kur po pritet data për fillimin e negociatave me BE-në.
Sofja zyrtare tashmë ka në tryezë kushtin që Maqedonia e Veriut të heqë dorë nga përdorimi i termit “gjuhë maqedonase”, ndërsa BE-ja të përdorë formulimin “gjuhë zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” dhe se nëse është e nevojshme emërtimi “gjuhë maqedonase” të shoqërohet me një yll dhe sqarim “sipas Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Bullgaria kërkon nga Maqedonia që të fshijë nga librat shkollorë frazën “okupator fashist bullgar”, të mos ketë pretendime për njohjen e pakicës maqedonase dhe në media të mos ketë gjuhë të urrejtjes kundër qytetarëve me vetëdije bullgare.
Lidhur me këtë ka pasur reagime të shumta nga personalitete maedonase. Ndër të tjerët ka reaguar edhe ministri i jashtëm i RVM Nikolla Dimitrov i cili ka theksuar rëndësinë e identiteti maqedonas si dhe emërtimet populli maqedonas, gjuha maqedonase duke kërkura mirëkuptim për këtë nga pala bullgare.
“ Unë nuk mendoj se kjo mund të vihet në dyshim ose të jetë kusht për rrugën tonë drejt Evropës. Nuk guxon të jetë, jo në vitin 2019 dhe jo në BE. Ne kemi të drejtën e vetëvendosjes dhe unë mendoj se vizioni i Sofjes do të përputhet me vizionin tonë me një mirëkuptim të përbashkët për kujdesit ndaj tjetrit”, ka theksuar ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov.
Ka reaguar edhe ish-kryeministri Lubço Georgievski.
“Ultimatumin e fundit nga Qeveria bullgare e përjetoj si pezullim të Deklaratës së miqësisë të vitit 1999 dhe Marrëveshjes së fqinjësisë së mire të vitit 2017”, theksoi Georgievski.
E tërë kjo vjen në një periudhë kur Maqedonia e Veriut po pret datën për fillimin e negociatave me BE-në.