Lidhur me përzgjedhjen e shkrimtarit Peter Handke për fitues të Çmimit Nobël, ka reaguar edhe Kryetari i Partisë ‘Alternativa’, Afrim Gashi. Në reagimin e tij ai thekson se morali letrat nuk duhet të bie ndesh me moralin e përgjithshëm human. Më posht us sjellim në të plotë reagimin e Afrim Gashit.
“Ndarja e çmimit Nobël për letërsi për shkrimtarin austriak Peter Handke është dëshmi se, përkundër angazhimit marramendës, bota e qytetëruar përsëri di të rrëshqasë në vendime cinike dhe, mbase, poshtëruese.
Është e vërtetë se ne e pranojmë dhe lexojmë artin letrar përtej qëndrimeve politike, por e vërteta më e madhe është se morali letrar nuk duhet të bie ndesh me moralin e përgjithshëm human. Të shpërblesh me një çmim prestigjioz një njeri që mburret me mbështetjen që i ka dhënë fashizmit millosheviqian e i cili as sot nuk pendohet për atë veprim, kjo është cinike dhe ofenduese jo vetëm për shqiptarët si viktima të regjimit të “Kasapit të Ballkanit”, por është fyese edhe për gjithë botën e qytetëruar që më 1999 – pikërisht për arsye humane – e përdori edhe forcën për ta ndaluar maninë e tij për zhbërjen e një kombi.
Duke mos dashur të paragjykoj se është prekur fundi, shpresoj që vendimi për ta shpërblyer me këtë çmim një njeri të këtillë të revidohet dhe ai t’i jepet një shkrimtari që e nderon botën tonë dhe nuk bie ndesh me vlerat pozitive humane e qytetërimore, për të cilat të gjithë angazhohemi me shumë përkushtim”, thotë Afrim Gashi, kryetar i “Alternativës” .