Prokuroria e Kosovës po i vazhdon hetimet në lidhje me zarfet me vota të ardhura nga Serbia, pas raportimeve se më shumë se 20 zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kishin reaksione alergjike pas hapjes së zarfeve. Prej tyre, 11 kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe janë hospitalizuar.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, tha për Radion Evropa e Lirë, se deri më tani janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe se po priten rezultatet e analizave.
“Sipas asaj që e kemi parë, kemi vendosur që këto analiza të bëhen jashtë vendit, prandaj është herët dhe çfarëdo që them, ndoshta mund të gaboj. Analizat duhet të bëhen jashtë vendit sepse nuk kemi një laborator i cili bën analiza të detajuara, ashtu siç po kërkohet tash”, tha Munishi.
Kryeprokurori Munishi nuk ka mundur të saktësojë se në cilin shtet do të dërgohen mostrat për analiza.
“Është shumë herët, jemi duke punuar për ta gjetur ku, por për momentin është shumë herët”, tha Munishi.
Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës dhe Klinika Infektive e Kosovë, nuk kanë dalë ende me rezultatin e analizave të 11 personave të cilët janë pranuar të dielën, më 13 tetor, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare, me siç është thënë, simptome të alergjive që atyre u ishin shfaqur nga kontakti me zarfet nga Serbia.
Gjendja e pacientëve, sipas mjekëve në Klinikën Infektive, është e qëndrueshme.
Për shkak të mungesës së rezultateve, nuk dihet ende se si erdhi deri te paraqitjet e alergjisë te këta persona. Andaj, autoritetet në Prishtinë kanë paralajmëruar hetimin dhe ekzaminimin e mostrave.