U zhduk para 5 vitesh, voglushi shqiptar gjendet në kampin sirian

Gazetarët italianë të emisionit investigativ “Le iene” kanë bërë të mundur gjetjen e vogëlushit shqiptar Alvin Berisha në një kamp të burgosurish në verilindje të Sirisë i kontrolluar nga forcat kurde.

Vogëlushi shqiptar kërkohej nga babai i tij, Afrim Berisha që prej natës së 12 dhjetorit 2014 kur bashkëshortja e tij Valbona Berisha largohet nga Italia për t’ju bashkuar luftës së shtetit islamik.

Çifti shqiptar, prindër të 3 fëmijëve, Alvin 6 vjeç e të dy vajzave më të rritura, jetonin në Itali prej vitit 1995.

Hetimet e autoriteteve policore duke ndjekur lokalizimin e telefonit celular të Valbona Berishës duke zbardhur rrugëtimin e saj deri në Siri. Nga aeroporti i Bergamos ajo ka udhëtuar drejt Stambollit e më pas ka mbërritur në Siri.

Prej gati 5 vitesh Afrim Berisha është vënë në kërkim të djalit të tij, prej të cilit ka mundur të marr vetëm një letër ku i shkruante se e kishte marrë malli shumë e donte të kthehej në shtëpi.

Gazetarët italianë kanë mundësuar pak ditë më parë udhëtimin e babait shqiptar në kampin Al-Hol të Sirisë, vendi ku mbahen të burgosur rreth 70 mijë persona, 90% e të cilëve janë gra e fëmijë.

Autoritetet kurde kanë informuar se Valbona Berisha ka mbetur viktimë gjatë bombardimeve të fundit në Siri ku ishte martuar me një xhihadist me të cilin kishte 3 fëmijë të tjerë. Ndërsa Alvin sot 11 vjeç është gjallë e i vetëm në kamp.  Ai jeton së bashku me fëmijët e tjerë jetimë.

“Le iene” kanë bërë të mundur që pas  5 vitesh Alvin të përqafojë babain e tij. Ka harruar gjuhën italiane e komunikon në shqip. Kërkon të shkojë në shkollë e të takoj gjyshin. Fizikisht nuk është mirë. Gjatë bombardimeve ku mbeti viktimë nëna e tij është plagosur në njërën këmbë që i vështirëson ecjen.

Gazetarët italianë vihen në kontakt me ambasadorin shqiptar në Turqi të cilit i kërkojnë ndihmë për ta nxjerrë vogëlushin Alvin nga kampi Al Hol.

Por me gjithë premtimet asnjë aksion konkret nga autoritetet shqiptare. Forcat kurde qe ruajnë kampin nuk lejojnë largimin e vogëlushit shqiptar pa praninë  e një funksionari shqiptar, përcjell Ora News.

Babai Afrim detyrohet të ndahet nga djali i tij. Alvin rikthehet në kamp. Gazetari italian i bën thirrje qeverisë shqiptare e ambasadës shqiptare në Turqi të ndihmojë shtetasin e tyre Afrim Berisha të nxjerr nga ky kamp të burgosurish djalin e tij 6 vjeçar Alvin.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme