Rama e bëri Shqipërinë që të mos e duan as shqiptarët dhe as Europa

Nga Kim Mehmeti

 

Shqipëria nuk është e rrezikuar nga ambiciet e një Kryeministri që don t’i kontrollojë të gjitha, por nga një ‘Piktor’ i dështuar dhe i frustruar që nuk mund ta kontrollojë vetveten.

 

Shqipëria u bë vend ku ka kush të vdes, por ku s’ka kush të të varrosë sepse aty është e turpshme të turpërohesh dhe pse thuajse çdo gjë në atë vend funksionon sipas logjikës: “Të gjithë qelbësirat tona, kundër plehut të tyre”.

 

Po pra, Shqipërinë nuk e dëmtojnë armiqtë e jashtëm, por patriotët e brendshëm të ‘Rilindjes’, të cilët atë e shohin si lopë, të cilën duhet ta ushqejë populli, e ta mjelin ata.

 

Dhe Shqipëria nuk vuan pse ajo nuk ka njerëz të ndershëm e të vlefshëm, por pse në atë vend, më e nderuar dhe më e paguar është një dele që për çdo natë del në televizor, se sa një mësues fshati që ka në dorë ardhmërinë e vendit.

 

Në Shqipëri kurrë nuk do ketë zgjedhje të parakohshme, sepse aty çdo gjë është e jashtëkohshme dhe nuk i takon as të sotmes, as të ardhmes e as të shkuarës, por pashpresës.

 

Dhe problemi i Shqipërisë nuk janë vetëm elitat e gjithëllojshme tona të korruptuara, por edhe të gjithë ne që nuk shohim se mëmëdheu është shndërruar në një atelie ku ‘Piktori’ i ndërron brekushet e veta dhe ku prej moti e ka hapur ‘ekspozitën’ e pandjeshmërisë sonë të turpshme ndaj fatit kolektiv.

 

Andaj, problemi më madhor i Shqipërisë nuk është pse atë nuk e do Evropa, por pse ‘Piktori’ e bëri atë shtet që të mos e duan edhe shqiptarët.

Dhe andaj Shqipëria do vazhdojë të mbetet vend kryesisht i banuar nga të pakënaqurit, por të cilët nuk e kanë kuptuar se pakënaqësia dhe revolta që nuk shndërrohet në veprim, përfundojnë ose në vajtim, ose në nënshtrim, se aty ku pakënaqësia mbetet vetëm lotëderdhje dhe vuajtje e heshtur, njeriu ose pajtohet të jetojë me të keqen, ose ndërmerr atë që bëjnë të rinjtë e mëmëdheut: ikin nga hapësirat ku sundojnë vrastarët e shpresës, ku fatin e të ndershmëve e përcaktojnë hajdutët dhe kriminelët dhe ku, njerëzit pajtohen që të keqen e sotme, ta arsyetojnë e ta mbulojnë me fatkeqësinë e djeshme!


Etiketa:

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme