Anëtarët e Klubit diplomatik Shkup e kanë shprehur pakënaqësinë e tyre kundër vendimit të Këshillit Evropian për të anuluar përcaktimin e datës për fillimin e negociatave mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.
Kryetari i Klubit diplomatik, Viktor Gaber, në një shkrim për mediat thekson se me këtë vendim politik, qytetarëve dhe shtetit i është shkaktuar një padrejtësi e madhe.
“Vlerësimet tona pozitive nga shumica e anëtarëve të Këshillit Evropian, dhe posaçërisht letra e përbashkët e katërshes, Lajen, Tusk, Junker dhe Sasoli, është konfirmim se bllokimi nga një vend është politik dhe paradoks diplomatik. Vlerësojmë se me këtë vendim mund të ketë pasoja ndaj sigurisë dhe paqes së Maqedonisë dhe rajonit”, shkruan Gaber.
Gaber thekson se anëtarët e Klubit diplomatik përkrahin subjektet që u angazhuan në arritjen e qëllimeve strategjike të Maqedonisë, anëtarësimi i plotë në NATO dhe BE, duke ju shprehur kështu përkrahjen kolegjiale dhe bindjen se edhe në këto momente të vështira, siç thotë, të gjithë duhet të investojmë energji edhe më të madhe, dituri dhe punë për arritjen e këtyre qëllimeve.