Prokuroria po e heton Ramiz Kelmendin

Ramiz Kelmendit nuk po i ecën mbarë si zëvendës i Isa Mustafës. Nga dita kur është zgjedhur zëvendëskryeministër ai është vënë nën llupën e prokurorisë.

Gazeta Fjala, merr vesh se prokuroria e shtetit po e heton zëvendëskryeministrin, Ramiz Kelmendi për rrezikim të shëndetit të qytetarëve me mish pa afat.

Gjatë një kontrolli të policisë dhe inspektorëve të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, para tri javësh i janë gjetur nga në rrjetin e marketeve ETC dhe Fabrikën e Përpunimit të Mishit “Elkos”, 6 tonë mish pa afat, të cilit nuk i dihej as prejardhja.

Bastisja e ETC-së dhe Elkosit në Pejë, u bë pikërisht ditën kur Ramiz Kelmendi u vu në postin e zëvendëskryeministrit.

AUV pati thënë se lënda për këtë çështje do të procedohet në Gjykatë.

Të hënën zëdhënësi i Këshillit Prokurorial i Kosovës, Ekrem Lutfiu, ka bërë të ditur për Gazetën Fjala, se është përcaktuar prokurori për këtë rast, dhe se janë duke u grumbulluar informatat, në mënyrë që të vlerësohet nëse ky rast është vepër penale apo jo.

“Ju njoftoj se e kemi caktuar një Prokuror i cili është duke mbledhur informatat e nevojshme për të vlerësuar se a është kryer ndonjë vepër penale, dhe nga kush është kryer”, ka potencuar ai.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Kelmendi, ka thënë për Gazetën Fjala se nuk ndihet përgjegjës për këtë rast duke thënë se kompania ka një zinxhir menaxhues dhe llogari duhet të japin menaxherët.

“Unë nuk ndihem përgjegjës juridikisht. Kompania i ka menaxherët”, ka thënë Kelmendi, duke shprehur mbështetje për prokurorinë që të hetoj rastin.

Institucionet fshehën rastin

Qytetarë të shumtë në vazhdimësi kanë raportuar për produkte të ndryshme pa afat dhe cilësi të dyshimtë në rrjetin e marketeve në pronësi të tashmë zëvendëskryeministrit të Kosovës, Ramiz Kelmendit.

Rasti i fundit për të cilin kanë filluar hetimet ishte mbajtur fshehtë nga organet e rendit.

Tek pas insistimit të Gazetës Fjala është bërë publike nga AUV se në bizneset e Kelmendit janë gjetur dhe asgjësuar produkte pa afat.

“Në “ETC” janë asgjësuar 500 kg mish pule, peshk dhe prodhime peshku, të cilat nuk i kanë përmbushë kushtet për konsum, kurse në “ELKOS”, në fshatin Zahaq të Pejës, janë gjetur 3100 kg mish gjedhi pa të dhëna mbi prejardhjen e mishit, kurse 3000 kg kanë qenë produkte të tjera të mishit si: salsiqe, sallama të pulës, suxhuk shtëpiak, mish i tymosur etj, të cilat kanë qenë të prishura”, pati thënë Lamir Thaçi, zyrtar për informim në AUV.

Për ta evituar rrezikun te qytetarët produktet e konfiskuara, janë asgjësuar në depononin e mbeturinave, në fshatin Sferkë të komunës së Pejës, në prani të zyrtarëve policor, pjesëmarrësve në aksion si dhe inspektorëve veterinar të AUV-së.

Ky nuk është rasti i vetëm kur qytetarëve u ofrohet në treg mish me prejardhje dhe afat të dyshimtë.

Më 4 tetor të këtij viti Dogana e Kosovës ka arritur që të bllokojë një sasi të madhe të mishit të ardhur nga Belgjika, i cili rezultoi të jetë pa afat. Sasia konfiskuar e mishit të gjedhit, e më pas edhe e asgjësuar, ka qenë rreth 20 ton, ndërsa kompania kosovare importuese dyshohet të jetë nga qyteti i Pejës.

Kosova rrezikohet nga mishi i prishur

Kosova shpesh është destinacion i mishit të prishur. Pas rastit të 6 mijë tonëve që u gjetën në ELKOS dhe ETC, në Kosovë rrezikohet të hyjë mish i cili ka qenë i ngrirë për 34 vite.

Se ekziston mundësia e depërtimit të këtij mishi në Kosovë, pohoi edhe Kryetari i Organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku.

Ai për Gazetën Fjala, ka thënë se grupet mafioze, gjendet gjithmonë një hap para inspektimit të ligjit, prandaj si gjithherë, edhe në këtë rast ekziston mundësia që mishi i prishur t’u servohet qytetarëve të Kosovës.

“Gjithmonë njerëzit e moralit të ulët, grupet mafioze, janë një hap para inspektimit të tregut dhe gjithmonë ka mundësi e rrezik që ai mall të hyjë në Kosovë. Ata që pretendonin ta fusin këtë mish, kanë mundur të jenë një hap prej AVUK-ut”.Ora.info

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme