Se raportet ndërmjet kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk janë të mira tani më është botërisht e ditur.
Për raportet e tyre të ndërsjella ka folur vetë Kurti, duke treguar se marrëdhëniet e tij me Ramën kanë ndryshuar për të keq, që nga dita kur u bë e ditur se Kryeministri i Shqipëriës i ka dhënë mbështetje presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, në idenë për shkëmbimin e territoreve dhe korrigjimin e kufijve.
Raporte jo të mira Rama-Kurti i konfirmon edhe njoftimi i fundit i kreut të Vetëvendosjes, nëpërmjet publikimit të letrave që ka marrë nga liderët e rajonit pas fitores në zgjedhjet e 6 tetorit.
Kurtin e ka uruar kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, gjithashtu edhe një urim i ka ardhur nga kryeministri i Bosnje e Hercegovinës dhe nga kreu i Kuvendit të Shqipërisë, por jo nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Megjithatë kreu i VV’së i cili pritet që të jetë kryeministër i Kosovës në intervistat e tij të para pak ditëve, ka thënë se ky raport i tij me Edi Ramën, nuk do të afektojë në raportet shtetërore midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.