Asnjë aktakuzë ndaj personave që dyshohet se manipuluan me numrin e votave

Raportimet e shumta për manipulime me numërimin e votave të kandidatëve për deputetë, nuk kanë rezultuar deri më tani me ndonjë kallëzim apo aktakuzë nga organet e hetuesisë.

Ishte vet kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ajo që kishte ftuar prokurorët e shtetit dhe policinë për të qëndruar brenda objektit të Qendrës për Numërim dhe Rezultate, pas raportimeve të shumta nga vëzhguesit për manipulime të votave të kandidatëve për deputetë përbrenda partive politike.

Të dyshuar për manipulime ishin komisionerët e partive politike, të cilët sipas vëzhguesve, gjatë numërimit të votave kanë dëmtuar disa kandidatë për deputetë duke ua numëruar votat kandidatëve tjerë, nga të njëjtat parti politike.

Këto dyshime për manipulime, ishin marrë si arsye që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve t’i dërgonte në rinumërim më shumë se 530 vendvotime.

Zyrtarë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në një përgjigjeje për Radio Evropa e Lirë, nuk kanë dhënë ndonjë informacion se a është ngritur ndonjë aktakuzë ndaj komisionerëve të partive politike për kohën e numërimit të votave, ku edhe po ngrihen dyshimet më të mëdha. Ndërkohë, kanë treguar se për ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, Prokuroria Themelore në Prishtinë, është duke i zhvilluar hetimet për gjashtë raste kundër gjashtë personave, që kanë të bëjnë me veprat penale kundër të drejtës së votimit, andaj, aktualisht, thuhet se këto janë rastet që ndodhen në fazën e hetimeve.

Laureta Ulaj, zyrtare për informim dhe monitorim të mediave në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, tha për Radion Evropa e Lirë, se KQZ-ja e ka për obligim që të paraqesë kallëzime penale në prokurori, ndaj të gjithë komisionerëve të cilët gjatë procesit të numërimit kanë kryer vepra penale kundër të drejtës së votimit.

Por, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valmir Elezi, shprehet se deri më tani, Komisioni nuk ka paraqitur ndonjë kallëzim penal në organet kompetente, por nuk e mohon faktin se mund të paraqiten.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme