Negociatat LDK – LVV momentalisht janë duke u zhvilluar në nivel tematik dhe pjesë e këtij takimi, i cili u zhvillua në selinë e Vetëvendosjes, ishin: Avdullah Hoti, Lumir Abdixhiku, Arben Gashi dhe Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Albulena Haxhiu, Besnik Bislimi, Sami Kurteshi e Blerim Sallahu nga Lëvizja Vetëvendosje, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Gjatë ditës së djeshme Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë mbajtur takimin e katërt me radhë në kuadër të negociatave për të arritur një marrëveshje për koalicionin qeverisës. Temë e këtij takimi ka qenë sundimi i ligjit dhe siguria. Kështu ka njoftuar ish-deputeti i LDK-së Arben Gashi, për të cilat siç ka thënë ai ka pasur dakordim të plotë mes partive.
“Diskutuam për t’i harmonizuar programet tona. Temat që u diskutuan kanë të bëjnë për sigurinë, për sigurinë e jashtme, për Ushtrinë e Kosovës, për ngritjen e kapaciteteve të Ushtrisë së Kosovës dhe për përgatitjen e saj në afatin optimal për t’u anëtarësuar në NATO, për sigurinë e brendshme që ka të bëjë me sigurinë në trafik, për sigurinë publike e për sigurinë e pronës”, ka deklaruar Gashi.