Zëvendësministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Burbuqe Bakija –Deva nuk e ka deklaruar në formularin e pasurisë kompaninë e bashkëshortit, ashtu siç është e kërkuar më ligj.
Ajo, në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK) e ka deklaruar pasurinë, por jo edhe kompaninë qe është ne emrin e bashkëshortit të saj, Faton Deva që quhet N.P.N “BB -Ingenering” dhe ka të deklaruar 9 punëtorë.
Ky biznes figuron aktiv në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve – ARBK, dhe si datë të regjistrimit e ka vitin 2000. Aktivitet primar e ka “Aktivitetet e inxhinierisë dhe këshillimit teknik”, shkruan lajmi.net.
Faton Deva është zyrtar i planifikimit hapësinorë në Ministrinë e Ambientit që disa vite.
Në formularin e pasurisë, pos të hyrave nga ministria, ka deklaruar se ka të hyra edhe nga konsulenca, por nuk e ka sqaruar se kë e këshillon, kompanitë apo personat privat.
“Janë të hyrat nga konsulenca, pasi qe unë jam arkitekte dhe kushdo që ka nevojë për këshilla, atëherë konsultohen me mua. Por nuk e kam cekur në detaje këtë në AAK”, ka thënë tutje Bakija -Deva për lajmi.net.
Në Administratën Tatimorenuk kanë treguar nëse zv. ministrja në detyrë i paguan tatimet nga të hyrat si këshillëdhënëse .
“Bazuara në Ligjin Nr. 03/L-222 – për Administratën Tatimore dhe Procedurat, përkatësisht nenin 84 që përcakton Konfidencialitetin e informatave tatimore, informatat e tilla konsiderohen konfidenciale, përveç nëse aplikohet paragrafi 3 i po të njëjtit nen, kur tatimpaguesi mund të lirojë çdo person nga detyrimi i konfidencialitetit. Lirimi i tillë duhet të jetë me shkrim dhe mund të kufizohet në dhënien e informatave të caktuara ose t’i shfrytëzojë për një qëllim të veçantë”, ka thënë Valentina Bytyqi – Sefa, U. d. Udhëheqës i Divizionit për Komunikim me Media.
Në Agjencinë Kundër Korruptonit (AKK) kanë thënë se do ta hetojnë këtë rast, pasi nuk janë në dijeni për një gjë të tillë.
“Agjencia kundër Korrupsion ka pranuar informatën e dërguar nga ana juaj dhe do ta trajtoj konform Ligjit për Deklarimin Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë, duke respektuar konfidencialitetin e subjekteve që janë objekt i trajtimit ose hetimit nga Agjencia, deri në rezultatet përfundimtare të procedurës së zhvilluar”, thuhet në përgjigjen e AAK-së për lajmi.net, ndërsa nuk kanë treguar se cili mund të jetë dënimi për fshehje të pasurisë.
Në deklarim të pasurisë ajo e ka deklaruar edhe kompaninë e djalit të saj, “ALE –Group” SH.P.K. Kompani nga e cila ka deklaruar se kanë të hyra tre fëmijët e saj.
Ndërkohë, familja Deva e ka pasur një tjetër biznes në pronësi, në emrin e Genta Deva, e cila është vajza e zv. ministres. Por, ky biznes rezulton të jetë shuar me datë 18.07.2018.