Iniciatorët e minishengjenit Ballkanik, Kryeministri shqiptar Edi Rama, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev zhvillojnë sot takimin e rradhës në Ohër. Sipas kabinetit të Vuçiqit, takimi trepalësh do të mbahet këtë pasdite në orën 17:30 dhe vjen si pjesë e një takimi të liderëve të Ballkanit Perëndimor që këtë fundjavë zhvillon punimet në Ohër. Delegacionet arrijnë sot, ndërsa në mbrëmje presidenti i vendit nikoqir, Stevo Pendarovski do të shtrojë darkë për kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq, ndërsa të dielën do të mbahet Samiti. Nesër në mesditë është planifikuar të mbahet edhe konferenca e përbashkët për shtyp. Rezerva ndaj idesë së minishengenit ka shprehur presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Nga ana tjetër dy vendet e tjera të rajonit, Kosova dhe Mali i Zi, e kanë kundërshtuar ashpër planin me pretendimin se në këtë mënyrë do të rikthehej ish-Jugosllavia. Pretendenti për kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se minishengeni ballkanik i dukej më tepër si një ide sesa një projekt. Ai ka thënë se do të presë për të parë një tekst konkret rreth iniciativës për të mësuar se cfarë nënkupton e njëjta.
Këtë iniciativë e ka mbështetur i dërguari special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Metju Palmer i cili është shprehur se e përkrah bashkëpunimin midis Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Në një takim të Dialogut Strategjik për Ballkanin Perëndimor të organizuar nga Forumi Ekonomik Botëror, Palmer tha se bashkëpunimi i tre vendeve është i shkelqyeshëm dhe “tregon vendoshsmërinë e liderëve nga rajoni për të marrë përgjegjësi për fatin e tyre dhe të ardhmen e tyre”. Ai është shprehur se në këtë projekt ka vend edhe për Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinen dhe Kosovën.
Metju Palmer: Ky projekt është ende i hpaur, ka vend për Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën, Kosovën dhe është iniciativë premtuese që ka mbështetjen tonë. Ne jemi të përkushtuar të punojmë dhe bashkëpunojmë me krerët e Ballkanit Perëndimor për të çuar rajonin përpara”.
Liderët e tre shteteve, presidenti serb Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrat e Shqipërisë e Maqedonisë Veriore, Edi Rama dhe Zoran Zaev më 10 tetor, në Novi Sad nënshkruan deklaratën e synimit për krijimin e një Shëngeni të Vogël. Ky nënshkrin siguron zbatimin e katër lirive kryesore të njohura ndërkombëtarisht – lëvizjen e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit.
Në tryezën nuk ishin të pranishëm liderët e tri vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor: Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnjes.