Një çerekshekulli përpjekje për drejtësi për vrasjen e Enver Hadrit

Familja e ish-kryetarit të Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, Enver Hadri, i vrarë më 25 shkurt 1990 në Bruksel të Belgjikës, ka treguar për vështirësitë për të ardhur deri te dënimi i vrasësve të tij.

Teuta Hadri, vajza e Enver Hadrit, përveç tjerash, ka thënë se janë përballur me shumë pengesa nga organet e shtetit serb.

“Kjo ishte një betejë e gjatë përballë diversioneve të panumërta të organeve të shtetit jugosllave e serb, përballë vonesave, neglizhencës ,por edhe lëshimeve të çuditshme të disa hallkave të sistemit gjyqësor”, ka thënë Teuta Hadri, vajza e Enver Hadrit, në një deklaratë publike.

Ajo ka bërë të ditur se gjatë këtij gjykimi i dhanë dëshmitë e tyre ekspertë të kriminalistikës, ekspertë të historisë së Ballkanit, hetues policorë, ekspertë të atentateve politike, por edhe dëshmitarë të ndryshëm, përfshirë këtu edhe dëshmitarë okulare.

“Pati edhe dëshmitar për të konfirmuar dëshmitë e tyre që kishin dhënë më parë në Tribunalin e Hagës”, ka shkruar ajo. “U lexuan procesverbale të ndryshme dhe dokumente gjyqësore e hetimore të të gjitha shkalleve në një procedurë që zgjati më shumë se një çerek shekulli”, ka shtuar ajo.

Vajza e Enver Hadrit zbulon detaje nga vrasja e babait të saj. Ajo ka thënë se, pas vrasjes së Enverit, policia pati gjetur në xhepin e tij listën e 32 shqiptarëve që ishin vrarë rishtazi nga policia serbe në manifestimet paqësore në përpjekje për të mbrojtur autonominë e Kosovës.

Në këtë deklaratë publike, Teuta Hadri citon prokuroren e rastit, e cila ka thënë se ‘vrasja e Enver Hadrit, ishte një krim i rëndë, i kryer me gjakftohtësi e paramendim, me armë e municion të përzgjedhur paraprakisht”.

“Ky gjykim i beri një nderim Enver Hadrit, por edhe përpjekjeve të drejtësisë për ta nxjerrë të vërtetën në shesh. Se indiferenca vret, dhe se mosndëshkimi gjyqësor i krimit e vret viktimën për të dytën herë”, citon Hadri prokuroren.

Teuta Hadri, në emër të familjes, këtë rast gjyqësor e konsiderojnë si një fitore të madhe, e cila dëshmon se drejtësia vonon, por nuk harron.

Për më tepër, Gjykata Penale e Brukselit ka shpallur sot fajtorë Veselin Vukotiqin, Andrija Drashkoviqin dhe Bozhidar Spasiqin, për vrasjen e ish-kryetarit të Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, Enver Hadri, më 25 shkurt të vitit 1990 në Belgjikë. Këta ishin pjesëtarë të nëntokës serbe në Bruksel por edhe zyrtarë të lartë të Sigurimit Shtetëror të ish – Jugosllavisë, UDB-së që kontrolloheshin nga Serbia.

Dy pjesëmarrës të tjerë të vrasjes së Enver Hadrit, Andrija Llakoniq dhe Darko Ashanin janë vrarë në Serbi.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme