Në mëngjesin e së mërkurës në Prishtinë ka vdekur regjisorja, Arzana Kraja.
Qendra Kinematografike e Kosovës ka thënë përmes një postimi në rrjetin social Facebook se angazhimi i regjisores Kraja në fushën kinematografisë ishte i jashtëzakonshëm.
“Jemi të shokuar nga lajmi për vdekjen e regjisores Arzana Kraja! Angazhimi i saj në fushën e kinematografisë ishte i jashtzakonshëm. Ngushëllime familjes, miqëve dhe gjithë bashkëpunëtorëve”, është thënë mes tjerash në njoftim.
Policia e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë vdekjen e një personi të gjinisë femërore me inicialet A.K, dhe se ka dalë në vendin e ngjarjes pas informatave për një trup të pajetë.
Zyrtarët policorë po ashtu kanë thënë se ky rast po konsiderohet si “vdekje e dyshimtë”, derisa të publikohet raporti i obduksionit.
Kraja njihet për filmat, “Shkurta” dhe “Fusha e mëllenjave”.
Arzana Kraja është vajza e Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja.
Komuniteti artistik në Kosovë dhe miq të saj janë shprehur të mërzitur dhe kanë shprehur ngushëllime për regjisoren e ndjerë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se Arzana ka kontribuuar shumë në kinematografinë e Kosovës.
“Vdekja e regjisores Arzana Kraja është lajm i trisht për të gjithë ne. Ajo i dha shumë kinematografisë sonë me talentin e saj dhe ishte shumë e re për t’u ndarë nga jeta. Ngushëllime familjes Kraja, miqve të Arzanës dhe gjithë komunitetit artistik dhe kulturor në vendin tonë”, është shprehur presidenti në një postim në Facebook.